Dhuna në familje, avokati apel institucioneve dhe shoqërisë

Nga Çaku Tafa dhe Gazmend Janku
4 Gusht 2025, 14:40 | Sociale

Dhuna në familje, e pasuar me ngjarje të rënda kriminale, ka ngritur një alarm serioz për shoqërinë në tërësi.

Rastet e fundit të regjistruara në qarkun e Fierit, ku një baba abuzonte seksualisht me të bijën, si dhe rasti tjetër ku vajza, në bashkëpunim me të dashurin dhe nënën, vranë kryefamiljarin, për kryetarin e Dhomës së Avokatisë në Fier, Ermal Hamataj, tregojnë se institucionet dhe vetë shoqëria duhet të zgjohen sa më parë për të parandaluar dhe jo për të gjykuar këto raste vetëm pas ndodhjes së tragjedive, shkruan A2 CNN.

Sipas avokatit, ashpërsimi i dënimeve nuk ka dhënë efektin e pritshëm, ashtu siç e ka treguar edhe përvoja. Ai apelon që njerëzit të heqin dorë nga koncepti i martesave "mekanike", të bëra për arsye sociale apo presioni, dhe të ndihen të lirë për të dashuruar, por edhe për t’u ndarë, nëse raportet bëhen të rrezikshme apo të dëmshme.

Përveç ngjarjeve të rënda me pasoja fatale, në qarkun e Fierit kohët e fundit janë shtuar ndjeshëm edhe rastet e dhunës në familje që përfundojnë me rrahje, kërcënime apo detyrime të ndryshme, me pasoja të rënda psikologjike dhe sociale.

Avokatët dhe ekspertët kërkojnë një strategji të re ndërinstitucionale për ndërhyrje të hershme, edukim dhe mbështetje për viktimat e dhunës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos