Dita e punëtorëve, jo vetëm pushim, por edhe protestë për paga e kushte më të mira

Nga Ornela Joti
1 Maj 2024, 14:36 | Sociale

Ndryshe nga vitet e tjera “1 maji” nuk ka qenë vetëm një ditë pushimi zyrtar. Si rrallë herë sindikatat e profesioneve të ndryshme janë bërë bashkë duke rikthyer simbolikën e vërtetë të Ditës së Punëtorëve, protestat  për kushte dhe paga më të mira. 

Mësuesit ishin të parët që u bënë bashkë në marshimin drejt ministrisë që i përfaqëson. Kishin ardhur nga rrethe të ndryshme  të vendit, por me të njëjtat kërkesa dhe shqetësime. Edhe pse dyert e ministrisë ishin të mbyllura nga pushimi zyrtar, drejtues të sindikatës artikuluan edhe njëherë  problemet e mësuesve dhe premtimet e pambajtura ndaj tyre.

Vetë mësuesit tregojnë se sa të pavlerësuar ndihen sot nga shteti dhe qeveria. Pagat e tyre i cilësojnë qesharake aq sa jo pak herë  ato bëhen objekt humori nga nxënësit e tyre. Mësuesia është një nga profesionet më të padëshiruara nga të rinjtë e sotëm.

Madje vetë arsimtarët pranojnë se fëmijëve të tyre nuk do tua sugjeronin  mësuesinë për të mos kaluar vështirësitë që po përjetojnë ata.

Pas mësuesve ishin sindikatat e minatorëve, taksisteve, punonjësve të shëndetësisë të cilët protestuan para kryeministrisë. Mjekët  frenimin e eksodit të profesionistëve të shëndetësisë përmes  politikave mbështetëse dhe kushteve të mira në pune. Referuar sindikatave, eksodi i viteve të fundit ka prekur më së shumti punonjësit e shëndetësisë, por ka filluar të ndihet edhe në radhët e mësuesve dhe profesioneve të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos