Ish-zv.ministrja e Arsimit Nora Malaj, e cila ishte e ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, ftoi Siborën, vogëlushen 9-vjeçare të apasionuar pas gjuhëve dhe mësimëdhënies, që t’i bashkohet një ditë në fakultet. Nora tha se në fakultet ka studentë indianë, të cilëve mund t’u mësojnë së bashku fjalë në gjuhën shqipe.
“Teta Nora i bën një propozim. Në universitetin ku është teta Nora ne kemi edhe studentë indianë, ke dëshirë të vish një ditë që t’i shohësh se si punojmë ne, jo vetëm me studentë shqiptarë, por edhe student të huaj? Do vish një ditë”, tha Malaj duke iu drejtuar vogëlushes, e cila u përgjigj pa nguruar: “Patjetër”.
“Ne të dyja do t’u flasim atyre anglisht dhe do t’u mësojmë disa fjalë shqip”, tha Malaj, duke u shprehur se kjo “është perspektiva për 2050-ën, ku nuk do krijojmë mësues vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë botën”. (A2 Televizion)