Është shpallur si përparësia e ministres së Shëndetësisë që në shtator, por reforma për përmirësimin e shërbimit onkologjik ende nuk po ndihet te pacientët. Në konferencën e parë për mediat, 6 muaj pas marrjes së detyrës, Evis Sala tregoi disa nga ndryshimet që do të prekin këtë shërbim në QSUT dhe në 6 spitale rajonale.
E pyetur nga mediat në lidhje me listën e re të barnave të rimbursueshme, ministrja foli për zgjerimin e saj si dhe rritjen e financimit për barnat onkologjike. Evis Sala mohoi të ketë rritje të çmimeve të barnave në tregun farmaceutik, pavarësisht ankesave të qytetarëve.
Pas dhjetë vitesh, në 2026 përfundojnë dy nga kontratat koncesionare më të kontestueshme, ajo e Hemodializës dhe check up. Ministrja e Shëndetësisë nuk sqaroi nëse do të ketë rinovim të kontratës apo menaxhim të këtyre shërbimeve nga shteti, si në rastin e procesit të sterilizimit.
Ministrja e Shëndetësisë foli për reformën spitalore në mbarë vendin, por nuk bëri publik spitalet që do të preken nga mbyllja për shkak të shfrytëzimit të ulët nga lëvizjet demografike. (A2 Televizion)