Izolimi në Shtrezë, reshjet dhe ura e dëmtuar lënë nxënësit jashtë shkollave

Nga Ervin Mehmeti
10 Janar 2026, 19:35 | Sociale

Për të ndjekur mësimin në shkollat e Shishtavecit dhe Novosejt, këtyre fëmijëve u duhet të përshkojnë në këmbë rreth 30 minuta rrugë malore.

Mirëpo, pengesa kryesore mbetet një urë druri e improvizuar nga vetë banorët rreth një vit më parë. Sot, kjo urë është totalisht e amortizuar dhe, e mbuluar nga dëbora, shndërrohet në një rrezik serioz për jetën e kujtdo që tenton ta kalojë, shkruan A2.

Banorët e lagjes Gjuta shprehen se kjo urë dhe rruga prej 1 kilometri janë e vetmja lidhje me pjesën tjetër të botës për 15 familjet e zonës. Prej më shumë se një viti, ata bashkëjetojnë me harresën dhe rrezikun, ndërsa çdo reshje shiu apo dëbore do të thotë izolim total nga Kukësi dhe Shishtaveci.

"Jemi të izoluar. Sa herë bie shi e borë, fëmijët mbeten pa shkollë dhe ne nuk lëvizim dot as për emergjenca shëndetësore. Kjo urë nuk mban më”, thotë njëri nga banorët.

Pavarësisht faktit se kjo lagje përballet çdo vit me të njëjtat problematika, zgjidhja mungon.

Banorët e Shtrezës kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia e Kukësit dhe institucionet përgjegjëse për ndërtimin e një ure të re dhe sistemimin e rrugës, në mënyrë që të garantohet siguria e nxënësve dhe lëvizja normale e komunitetit.

Deri më tani, lagjja Gjuta mbetet në mëshirë të motit, ndërsa nxënësit presin një zgjidhje që të mos humbasin më shumë ditë nga viti shkollor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos