“Je i varfër nëse merr ushqimin me vete”, revolta e të ftuarve për nxënësit në shkolla

Nga A2 CNN
13 Maj 2026, 10:29 | Sociale

Lajmi për dy vajza në Greqi të cilat nga stresi i provimeve të maturës kishin vendosur të hidheshin nga lartësia, u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale edhe në Shqipëri, duke vënë theksin te stresi që kalojnë të rinjtë nga shkolla. Për ekspertin e arsimit, Ndriçim Mehmeti, rasti i Greqisë nuk duhet lidhur me Shqipërinë, pasi ka dallime të mëdha mes dy shteteve.

“Nuk e di pse duhej gjendur rasti i Greqisë për ta asociuar, për ta sjellë në Shqipëri. Ato s'janë maturante. Përveç kësaj, mënyra se si ka ndodhur ngjarja ka shumë tymnajë dhe paqartës”, tha ai i ftuar në “Dita jonë” në A2 CNN. “E dyta, në Greqi, që ta dinë njerëzit, nuk janë të detyrueshme provimet. Janë të detyrueshme vetëm për ata që duan të shkojnë në shkollë të lartë. Dhe ti mund të bësh një vit pushim dhe vjen në vitin tjetër dhe i jep sipas dëshirës tënde. E treta, Greqia ka një sistem arsimor parauniversitar që në Bashkimin Europian është ndër më të cenueshmit. Po e them kështu se nuk dua ai t'i bëj një analizë një vendi tjetër, se ne jemi akoma më keq”.

Pavarësisht se rasti i Greqisë nuk gjen shumë vend në terrenin arsimor shqiptar, ekspertët pranojnë se edhe në shkollat tona ka sjellje, sidomos mes nxënësve që duhen përmirësuar.

“Ka pasur raste që i kanë në shkollë fëmijës, i kanë pështyrë ushqimin. I thoshin se je i varfër që merr ushqim me vete”, tregoi pedagogia Malina Tafçiu. “Ka prindër që i çojnë fëmijët në shkollë pa ushqim. Kishte një muaj që nuk e tregonte këtë gjë dhe ishte mbyllur në vetvete dhe më thoshte nuk e dua”.

Tafçiu shtoi se edhe qasja e prindërve duhet të ndryshojë. “Pyetja ime e parë fëmijëve, kur unë i marr nga shkolla, është “Si kalove mami sot? A u kënaqe, a u mërzite?”. Kurrë s'i kam pyetur çfarë note more, sepse nota nuk është treguesi i moralit”, tha Tafçiu. “Të gjithë duam një moral të denjë. Sot duhet të jetë prindi, jo dikush tjetër. Nëse fëmija im kërkon shembullin te dikush tjetër atëherë unë kam dështuar si prind”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos