“Vetëm disa ditë jetë, ndihmoni Pranverën”, thirrja e nënës për vajzën 31-vjeçare

Nga A2 CNN
12 Maj 2026, 09:47 | Sociale

Një histori prekëse po sensibilizon shqiptarët kudo ndodhen. Pranvera, një vajzë 31-vjeçare që jeton në Xheda të Arabisë Saudite, po përballet me leucemi akute dhe ka nevojë urgjente për një transplant të palcës kockore për të shpëtuar jetën.

Mamaja e saj, Mariana Mollaj, dhe shoqja e ngushtë, Geralda Koçiraj, rrëfyen në “Dita jonë” në A2 CNN kalvarin e vështirë që familja po përjeton prej tetorit të vitit 2025, kur Pranvera u diagnostikua papritur me sëmundjen e rëndë.

Sipas Geraldës, gjithçka nisi kur Pranvera humbi forcën në këmbë dhe u dërgua me urgjencë në spital. Pas analizave të shumta, mjekët konfirmuan diagnozën e leucemisë akute. Që prej asaj kohe, 31-vjeçarja ka kryer nëntë kimioterapi, por organizmi i saj nuk mund të përballojë më trajtime të tjera.

Mjekët kanë vendosur si zgjidhje të vetme transplantin e palcës kockore, ndërsa koha është shumë e kufizuar. Operacioni kushton rreth 450 mijë euro dhe duhet të realizohet brenda fillimit të qershorit.

“Një kimioterapi kushton jashtëzakonisht shumë dhe ata kanë arritur të përballojnë vetëm nëntë kimioterapi. Tashmë trupit të Pranverës nuk i përballon më dhe i duhet operacioni sa më shpejt. Pa operacionin ajo nuk ka shpëtim. Pra, duhet ta bëjë patjetër”, tha Geralda.

Familjarët dhe miqtë kanë hapur një faqe donacionesh online, duke bërë thirrje që çdo shqiptar të kontribuojë sadopak për t’i dhënë Pranverës një mundësi për jetën.

Mamaja e saj, Mariana, tha se koha është një faktor shumë i rëndësishëm, pasi nuk ka shumë në dispozicion për të shpëtuar jetën e vajzës së saj. “Doktori ia ka thënë troç: ‘Unë nuk të marr më përsipër dhe ti ke vetëm dy muaj kohë’. Trupi i saj nuk mban më kimioterapi. Nëse operacioni nuk kryhet brenda këtyre muajve, ekziston mundësia që sëmundja të rikthehet dhe të jetë shumë më agresive. Atëherë situata do të bëhet shumë e rëndë dhe asnjë doktor nuk do ta marrë më përsipër”, tha ajo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos