Kempi nuk mbulon as një javë trajtim, buxheti lë sërish “jetimë” fëmijët me aftësi ndryshe

Nga Ornela Joti
13 Dhjetor 2025, 09:11 | Sociale

Buxheti për vitin 2026 u miratua, por prindërit e fëmijëve me aftësi ndryshe nuk do të rreshtin së kërkuari mbështetje financiare për fëmijët e tyre. Kempi, e vetmja ndihmë që ju jep sot shteti, varion nga 8 mijë deri 15 mijë lekë në muaj. Kjo shumë nuk mbulon as terapitë e një jave shumë të nevojshme për zhvillimin e fëmijëve, e veçanërisht atyre më spektrin autik. 

Nënat tregojnë se vetëm një orë terapi ne ditë kushton 3500 lekë, por fëmijët më spektër kanë nevojë për terapi të llojeve të ndryshme, çka e bën të pamundur  të mbulohet nga familjet  e tyre. Ato i bëjnë thirrje kryeministrit dhe ministres së Shëndetësisë të rrisë financimet për familjet e fëmijëve me aftësi të veçanta, shkruan A2 CNN.

Prej 20 vitesh Brixhida Muça, dhimbjen dhe sfidën i ka pjesë të pandarë të jetës. Djali i saj vuan nga spektri autik por dhe probleme të tjera shëndetësore. Ka gjetur forcën për të hapur një qendër ditore, ku me ndihëm e donatorëve privatë siguron terapi falas edhe për fëmijë të tjerë më autizëm. Duke ua njohur dhimbjen, veçanërisht nënave që kujdesën për fëmijët me aftësi ndryshe, Brixhida ka dale me kërkesa konkrete ndaj  qeverisë. Madje ajo i kujton kryeministrit se Shqipëria nuk mund të jetë anëtare e Bashkimit Europian pa shërbime dinjitoze ndaj personave me aftësi ndryshe, ashtu siç ofrohen ne vendet e unionit, raporton A2 CNN.

Ndërkohë pak ditë më parë edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku ka propozuar në Kuvend  një nismë ligjore ku synon që tu njihet dhe paguhet si punë kujdesi i nënave për fëmijët me aftësi të veçanta. Por Bixhida dhe të gjitha  nënat si ajo nuk e njohin optimizmin, i tremben të ardhmes së fëmijëve të tyre kur ato të mos jenë më në jetë.  

Deklarata e kësaj gruaje që autizmi ka zgjedhur ta sfidojë është sa tronditëse aq dhe ulëritëse për shoqërinë dhe shtetin: “Unë vetë them, atë ditë që do vdes, atë dite të vdesë dhe djali im. Kujt t’ia lë? Nuk dua që vajza ime të kaloje sfidat e mia dhe vështirësitë financiare. Nuk dua të jetë barrë për askënd” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos