Leskoviku turistik, shtohen turistët në sitet historike të zonës

Nga A2 CNN
19 Maj 2024, 14:31 | Sociale

Leskoviku është nga krahinat më të njohura të juglindjes së vendit, për trashëgiminë kulturore, për vreshtarinë, llixhat e Sarandoporit, Kishën e Cerskës, Postenanin e shumë atraksione të tjera duke e bërë Leskovikun të kërkuar nga turistët vendas e të huaj.

Ilirjan Mezini është njeri nga operatorët turistik në Shelegur të Leskovikut. Gjatë dy viteve të fundit, turistët vendas e të huaj në këto anë kanë qenë të shumtë, thotë ai. 

"Këto dy vite kanë qenë vite të një fluksi të ngarkuar turistik. Turistët këtu janë të huaj dhe vendas. Ka turistë që vijnë në fundjava, e premte e shtunë, ka turiste për një natë, për dy netë, ka turizëm të agjencive që janë kalimtare. Turistët u bën përshtypje natyra e virgjër, nga çfarë thonë këtu natyra është jo e sajuar, kuzhina u pëlqen, tradicionale", tregon Ilirjani.

Një çift bashkëshortësh me fëmijët e tyre kanë ardhur nga Zvicra dhe janë të mahnitur me natyrën e kësaj zone dhe mikpritjen e banorëve 

Nardi Konica dhe familja e tij janë banorë të vjetër të Leskovikut. Turistët sipas tij e vizitojnë krahinën për gjithçka ajo ofron.

"Leskoviku ofron që nga Sheleguri me liqen, gjithashtu pyjet e Gërmenjit, kemi Lixhat e Sarandoporit, Kishën e Cerskës, vreshtat janë 200 familje me vresht, banjat me avull në Postenan".

Leskoviku përsa i përket orientimit turistik është vetërregulluar, por bashkia e Kolonjës ka ndërmarrë masa dhe investuar në sajtet turistike për t’i ardhur në ndihmë vizitorëve, thotë kryetari i bashkisë Kolonjë Erion Isai.

"Leskoviku ka një numër të jashtëzakonshëm turistësh të huaj, austriak, gjermane, çeke, nisur nga kultura që u krijua nga natyra ku po bashkohen gjithë elementët. Sot po e quajmë si një hapje të sezonit turistik për Leskovikun do kemi e një tjetër për Ersekën. Lidhet me natyrën me llixhat me historinë me sazet me një inkubator zahiresh, duam të rikthejmë turizmin në forcën ndërkufitare", shprehet kryebashkiaku.

Vitin e kaluar gjatë sezonit turistik Leskovikun dhe fshatrat turistike janë vizituar nga me shume se 15 mijë turistë. Mbrëmjen e djeshme është çelur sezoni turistik në Leskovik, sezon ky që pritet të ketë shifra më të mëdha se ai i vitit të kaluar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos