Aktivistja Lindita Pano tha se nga viti i ardhshëm shkollor fëmijëve do t’u mësohet në kopshte dhe shkolla për gjininë, sipas saj, me një agjendë që nuk është në të mirë të tyre. “Dua t’ju bëj apel prindërve që të bëhen gati në shtator, sepse Mirela Kumbaro, ministrja e Arsimit, ka përgatitur një ligj që do t’iu fillojë edukimin gjinor që në kopsht”, tha Pano në “Dita jonë” në A2 CNN.
“Që në kopsht po do futen elementët. Unë kurrikulën nuk e kam në dorë. Por është bërë problem i madh përpara, madje, para se sa të kalonte ligji i barazisë gjinore në Parlamentin shqiptar, që në tetor ishte gati kurrikula e edukimit gjinor, që në kopsht edhe në klasat e para. Kështu që prindërit duhet të përgatiten. Murati po flet për të pasur një edukim të mirë nëpër shkolla. Po ne nuk kemi një qeveri që po përpiqet për të mirën e fëmijëve”.
Pano u bëri thirrje prindërve që të përfshihen më shumë në sistemin arsimor të fëmijëve të tyre, për të mos pasur më pas surpriza të pankndshme. “Unë do doja që prindërit që janë të përgatitur të hyjnë në bordet e shkollave edhe të imponohen me fuqinë që ju jep prindërimi, ligji edhe Kushtetuta. T’u imponohen që fëmijëve të tyre të mos u mësohet asnjë gjë që nuk është në përputhje me parimet edhe me Kushtetutën e Shqipërisë”, tha ajo.
“Dhe t’i imponohet shkollës të zgjedhë kurrikula të tjera, sepse ka disa materiale që mund të zgjedhësh; të zgjedhë kurrikula të tjera, të mos zgjedhë kurrikulat që imponojnë edukimin gjinor nëpër shkolla, sepse është e rëndësishme që ne të mbajmë mend që domeni për edukimin e fëmijëve, sidomos për çështje sensitive të tilla, duhet të ngelet te prindi. Nuk duhet të ngelet domen i shtetit për të edukuar fëmijën me agjenda të tilla. Ju thatë që shteti, qeveria shqiptare, nuk i ka prioritet ose në fokus fëmijët. I ka, në fakt, po i ka për të keqen, nuk i ka për të mirën. I ka që t’i “xhenderizojnë” nëpër shkolla, nuk i ka që të kujdeset që të hanë ushqim të shëndetshëm, të kujdeset që të kenë kurrikula që do të formojnë karakterin e tyre, do t’i formojnë jo thjesht në matematikë, biologji dhe gjeografi”. (A2 Televizion)