Një raport i UNICEF tregon se 1 në 4 gra në Shqipëri, të moshës 15 deri në 49 vjeçe, janë anemike. Anemia njihet si një gjendje në të cilën numri i qelizave të kuqe të gjakut ose përqendrimi i hemoglobinës brenda tyre është më i ulët se normalja, gjë që bëhet faktor për një shëndet jo të mirë në popullatë.
Mjekët thonë se shifrat janë të larta edhe te burrat, duke treguar shkaktarët për secilën gjini. “Mungesa e hekurit është kryesorja te çdo gjini. Më pas, te gratë është cikli menstrual, ndërsa te burrat hemorragjitë nga hemorroidet ose një kancer i zorrës së trashë.”
Po cilat janë burimet më të mira të furnizimit të organizmit me hekur? “Konsumoni mish të kuq, bishtajore dhe fruta të thata.”
Sipas të dhënave globale, mesatarja e grave me anemi është 31%, teksa në Europën Qendrore dhe Lindore kjo mesatare shkon në 21%, shkruan A2 CNN.
Simptomat e para të anemisë lidhen me dhimbjen e kokës, rënien e flokëve, lodhje të pajustifikuar si dhe humbje të përqendrimit.
Mjekët apelojnë që të mos neglizhohet asnjë simptomë, duke kërkuar ndihmën e specialistëve sa më herët. (A2 Televizion)