
Banorët e fshatit Çiflik janë ngritur mbrëmjen e sotme në protestë, për shkak të përmbytjeve të përsëritura që, sipas tyre, shkaktohen nga bllokimi i kanalit kullues.
Prej më shumë se një muaji, kanali është i bllokuar, duke sjellë përmbytjen e tokave bujqësore dhe banesave, dy herë brenda kësaj periudhe, shkruan A2.
Banorët pohojnë se, që prej ngushtimit të kanalit nga ana e bashkisë, përmbytjet në Çiflik janë bërë gjithnjë e më të shpeshta, duke prekur banesat, tokat bujqësore, serrat dhe stallat e bagëtive. Pas çdo përmbytjeje, dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme.
Ata i bëjnë apel bashkisë të ndërhyjë me urgjencë, pasi niveli i prurjeve të lumit dhe përrenjve vijon të rritet, ndërsa banorët shprehen se jetojnë me frikën se uji mund të hyjë sërish në banesat e tyre.
Kanali i Shahinovës, i cili përshkon territorin e bashkisë Dimal, ka shërbyer ndër vite si kanal kullues dhe vaditës për tokat bujqësore. Sot, bllokimi i tij po rrezikon seriozisht banesat dhe pronat e banorëve të fshatit Çiflik. (A2 Televizion)