Fshatrat e Bashkisë së Selenicës janë të njohur ndër dekada për kultivimin e rrushit. Me qindra fermerë të mbetur në këto zona, merren dhe punojnë çdo ditë në vreshtari, ku kultivojnë lloje të ndryshme rrushi, për ti bërë më pas verë dhe raki.
Kjo traditë, siç tregojnë edhe vetë fermerët, është e trashëguar brez pas brezi. Duke treguar varietetet e rrushit që kultivojnë, por edhe llojet e verës apo rakisë që prodhojnë, ata thonë se kjo punë i mban gjallë, është ajo me të cilën sigurojnë të ardhura dhe mbajnë sot familjen.
Fermerët shprehen të kënaqur për cmimin me të cilin e shesin verën dhe rakinë, teksa tregojnë se tregu për ta nuk mungon, pasi prodhojnë në sasi jo shumë të lartë dhe ajo se çfarë i dallon është cilësia e këtyre produkteve, shkruan A2 CNN.
Krahas zhvillimit të teknologjisë e cila ka ndihmuar shumë në prodhimin e verës dhe rakisë, duke rritur prodhimin dhe duke lehtësuar punën e çdo fermeri, në zonë ka akoma shumë fermerë që e prodhojnë rakinë në mënyrë artizanale. Në këto fshatra takojmë sot një prej tyre, i cili ruan traditën, duke prodhuar rakinë me kazan. Rakia që nxirret prej saj, është produkti më cilësor i rrushit, "Raki ballë kazani".
Me qindra familje në fshatrat e bashkisë Selenicës jetojnë prej kultivimit të rushit dhe prodhimit më pas të verës dhe rakisë. Sigurisht që numri i tyre nga viti në vit është ulur ndjeshëm, por kjo traditë trashëgohet nga brezi në brez, duke ndihmuar ekonominë lokale të zonës të zhvillohet.
(A2 Televizion)