Muzeu i Pavarësisë në Vlorë është nga pikat më të frekuentura nga turistët e huaj dhe shqiptarët e diasporës.
Interesi për historinë e pavarësisë së vendit nga viti në vit vjen në rritje dhe kjo rritje u dedikohet kryesisht turistëve të huaj, që nga totali i vizitorëve përbëjnë më shumë se 70% të tyre.
Por, kush janë më të interesuarit për t’u njohur me historikun e Pavarësisë së vendit tonë? Kozeta Halili, drejtore e Muzeut të Pavarësisë, shprehet për A2: “Nga janari deri në maj, kemi pasur mbi 6400 vizitorë. 70% e tyre janë të huaj. Kemi nga vendet nordike, Italia, Gjermani dhe Spanja. Por, ka edhe shqiptarë nga Kosova”.
Muajt korrik dhe gusht pritet të shtojnë akoma më shumë numrin e vizitorëve të huaj në këtë muze dhe për këtë arsye, përveç orarit, janë shtuar edhe punonjësit e shërbimit në muze. (A2 Televizion)