“Topolino Auto Club Italia” ka zgjedhur Gjirokastrën për të vizituar dhe ekspozuar makinat ikonike Fiat Topolino të Italisë së viteve 1950-1960.
Për çdo vit, ky klub, pjesë e Federatës Europiane të Automobilizmit, organizon udhëtime jashtë Italisë, për t’u njohur me vende, njerëz, kulturë dhe histori të ndryshme. Një nga anëtarët e klubit tregon se si u realizua turi në Shqipëri dhe natyrisht një pjesë të historikut të makinës së tij.
“E kemi menduar dy vite më parë dhe kemi nisur kontaktet me autoritetet dhe me ambasadën, pastaj jemi mbledhur një nga një dhe kemi nisur këtë tur. Kjo është pjesa e parë e tij. Pjesa e dytë do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Itali aty ku duam të takojmë komunitetet shqiptare në qendër të Italisë. Ne kemi ardhur të njohim Shqipërinë, pasi për pjesën më të madhe tonën nuk kishim ardhur kurrë dhe për ne ka qenë një surprizë e bukur. Makina është një Topolino C e vitit 1950. Ma ka blerë babai në vitin 1967, në kohën që unë punoja në ushtri. Këtë makinë e përdora deri në vitin 1975. Më pas, makina qëndroi pa lëvizur për 20 vite me radhë deri në vitin 1995, kur unë nisa ta restauroja prej më shume dy vitesh. Në 1998 nisa udhëtimet me të dhe që atëherë kam përshkuar rreth 100 mijë kilometra në Itali dhe në të gjithë Europën”, thotë Bigliardi për A2.
Pjesë e këtij klubi janë edhe gratë që njësoj si burrat kanë pasion për një nga makinat më ikonike të Italisë: “Kemi bërë këtë udhëtim në Shqipëri për t’u njohur me njerëzit, pasi është hera e parë që vijmë. Në çdo vit organizojmë një udhëtim të tillë jashtë Italisë. Kam parë që njerëzit e njohin mjaftueshëm makinën. Ndoshta nuk dinë emrat apo historinë, por si makinë e njohin. Makina ime është e vitit 1954. Është seria e fundit e prodhimit të Topolinos. Është ribërë motori dhe shumë pjesë të tjera. Kemi përdorur vetëm pjesë origjinale, pasi në Itali ka ende punishte që prodhojnë pjesë për këto makina”.
Udhëtimi i Topolinos në Shqipëri do të shtrihet thuajse në të gjitha qytetet e vendit, ku Gjirokastra ishte ndalesa e parë. (A2 Televizion)