Pas çdo aksidenti ka gjithmonë një bilanc për gjendjen e personave që përfshihen në të. Mjekët e Spitalit të Traumës përballen çdo ditë me urgjencat që shkaktohen nga aksidentet dhe traumat e tjera.
Nga 150 urgjenca që i drejtohen çdo ditë spitalit, pjesën më të madhe e zënë traumat nga aksidentet rrugore. Mjekët thonë se aksidentet vijojnë të jenë në nivele të larta, gati të ngjashme me periudhën e verës.
Shpejtësia e lartë, përdorimi i pijeve alkoolike dhe drogave të ndryshme nga drejtuesit e mjeteve po bëhen shkak për rritjen e aksidenteve rrugore.
Zamir Demiraj, shefi i shërbimit të ortopedisë në spitalin e Traumës flet për numër të lartë të fataliteteve. Ndërsa të mbijetuarit e aksidenteve kalojnë një periudhë të gjatë invaliditeti, nga disa muaj deri në dy vjet.
Pas aksidenteve të përsëritura në rrugët e Tiranës, por dhe zona të tjera të banuara mjekët i bëjnë thirrje policisë të mos tolerojë shpejtësinë tej normave të lejuara. Veçanërisht në zonat e banuara, shpejtësia e lartë vret.
Në fundjavë, pranë kryeministrisë, dy të rinj të cilët lëviznin në trotuar u aksidentuan nga një mjet që humbi kontrollin. Sipas mjekëve të spitalit të Traumës, të dy të rinjtë janë jashtë rrezikut për jetën. Vajza e cila u dëmtua më shumë do t'i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale. (A2 Televizion)