Nxënës dhe prindër të Njësisë Administrative të Treganit në Bashkinë e Elbasanit kanë protestuar për të tërhequr vëmendjen e institucioneve për kthimin në funksion të shkollës së tyre, e cila që nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 është shpallur e pasigurt dhe prej katër vitesh nxënësit janë transferuar në shkollën e Kuqanit, duke e zhvilluar mësimin pasdite.
Kjo situatë sipas prindërve është e papranueshme pasi ka ulur edhe cilësinë e mësimit të fëmijëve të tyre. Vështirësitë i ndjejnë edhe vetë nxënësit. Sipas prindërve, nëse lekët që bashkia paguan për transport do të investoheshin te shkolla atëherë fëmijët nuk do të detyroheshin të udhëtonin çdo ditë ne fshatin tjetër.
Për nënkryetaren e Bashkisë së Elbasanit, pas katër vitesh shpresat janë që vitin e ardhshëm të akordohet një fond për rindërtimin e shkollës. Gjatë kohës që shkolla ka qenë e braktisur nga nxënësit, në të janë kryer akte shkatërrimi, duke thyer xhamat e dritareve, si dhe duke dëmtuar orenditë e brendshme. (A2 Televizion)