Gjysma e botës miope në 2050, shtohen problemet me shikimin te fëmijët edhe në Shqipëri

Nga Ornela Joti
26 Nëntor 2025, 15:01 | Sociale

Jo shumë larg nga sot, bota nuk do ta shohë qartë, në kuptimin e parë të fjalës. Pas dy dekadash, gjysma e popullsisë së botës do të jetë miope. Parashikimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë flasin për një rritje të shpejtë të problemeve me shikimin në të gjitha grupmoshat.

Edhe në Shqipëri, stili i ri i jetesës, qëndrimi në ambiente të mbyllura, në shtëpi, zyrë, shkollë, si dhe përdorimi i zgjatur i pajisjeve elektronike, ka shtuar numrin e individëve që kanë nevojë për syze. Ky problem është më i theksuar tek brezi i ri. Edhe pse prindërit e tyre janë pa syze, fëmijët kanë probleme me shikimin, jo për shkak të gjenetikës, por për shkak të mënyrës së jetesës, shkruan A2 CNN.

Në vitin e tretë të programit të depistimit në shkolla është konstatuar një rritje e problematikave të shikimit. 23% e nxënësve që i janë nënshtruar kontrolleve janë referuar për vizita të specializuara tek okulisti. Sipas mjekëve, problematikat më të mëdha të vërejtura tek nxënësit e shkollave në qytet janë miopia, strabizmi dhe syri dembel. Ndërsa tek fëmijët e zonave rurale, shqetësimet me shikimin dhe numri i fëmijëve me syze janë më të ulta.

Okulistët këshillojnë prindërit të reduktojnë kohën që fëmijët kalojnë para pajisjeve elektronike dhe të nxisin sa më shumë shëtitje në natyrë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos