Ishte viti 1980 kur Michel Setboun vjen në Shqipëri, për të dokumentuar zhvillimin historik që po ndodhte asokohe.
“Atë kohë ishte shumë e vështirë të vije në Shqipëri. Do të duhej të lidheshe me diplomat apo me doktorin e Enver Hoxhës, apo me dikë që kishte lidhje me Shqipërinë dhe vendin tim. Ashtu gjeta edhe unë një mënyrë për të ardhur në 1981, por nuk arrita të vizitoja shumë vende. Isha i kontrolluar. Më pas, erdha sërish, në kohën e Ramiz Alisë, por këtë herë u maskova si një turist i zakonshëm dhe jo si fotoreporter, pasi përvoja e parë nuk rezultoi shumë efektive për mua”, tregon Setboun.
Ai rikthehet për të sjellë një pasqyrë të Shqipërisë së asaj kohe dhe Shqipërisë së 30 a 40 viteve më vonë: “U riktheva prapë tani për ekspozitën e parë dhe më thanë “ne nuk jemi më njëlloj”, ndaj nisa të kërkoj përmes imazheve shqiptarët që kisha fotografuar. Ishte e vështirë në disa raste, pasi personazhet nuk pranonin të fotografoheshin sërish. U vinte turp dhe jo pak herë kishin raporte jo të mira me të shkuarën. Megjithatë, secila është një histori e bukur për t’u treguar. Dikur e shihja Shqipërinë si një popull të varfër dhe materialisht, edhe nga ana e besimit. Sot e shoh të pasur, por shpesh indiferent ndaj të shkuarës”.
Ekspozita merr jetë në Kryeministri, në qendrën për hapje dhe dialog. Nis vërtet kjo ekspozitë me kapitullin e besimeve fetare, me katedrale të kthyera në pallate sporti apo ambiente ku trumbetoheshin idetë komuniste të një sistemi politik që e ndalonte fenë, por përbri këtyre fotove qëndrojnë edhe ato ndërtesa që u rikthyen në katedrale, apo fotografia e një ceremonie martesore në rrënojat e një kishe. Por, ekspozita është shumë më shumë se kaq. Flet edhe për traditat shqiptare.
Setboun shprehet: “Në vitin 1981 ishte shumë e vështirë që të bëje foto. Në vizitën time të parë në Shqipëri, kisha ardhur me një grup komunistësh. Midis tyre ishte vetëm një gazetar dhe unë fotorepoter. Por, atë kohë nuk mund të bëja pyetje, por edhe po të bëja, nuk merrja përgjigje. Pse është prishur kjo xhami apo çfarë ka ndodhur me këtë kishë? Atë kohë ndërtova ca histori pa përgjigje, por më bënte përshtypje marrëdhënia e shqiptarëve me besimin fetar ndonëse nuk kishte ndërtesa të besimit fetar apo ato ishin shkatërruar. Këtu fillova të ëndërroj për të ardhur sërish në Shqipëri, por kufijtë nuk ishin të lirë për t’u kapërcyer. Ajo që ju duhet të keni si pikë thelbësore për besimin është fakti që Shqipëria ishte i vetmi vend që i kishte shkatërruar të gjitha vendet e besimit. Edhe vendet e tjera komuniste mund të kishin rezervat e tyre për besimet fetare, por asnjë nuk kishte këtë qasje ndaj fesë. Shqipëria m’u duk kategorike me shkatërrimin e xhamive dhe kishave. Përtej kësaj, unë gjeja njerëz që besonin çdo ditë, faleshin, luteshin, festonin ditët e veçanta pa u shkëputur nga besimet e tyre fetare. Kjo është pikërisht një foto manifestimi. Është një djalë i vogël që mban tespie në duar. Të afërmit po i këndojnë, kështu thuhet në fenë islame. Ndërsa lart gjeta sërish djalin e vogël tanimë të rritur. 30 vite më vonë ai më thotë: “Po, unë jam ky djali i vogël ky dhe ky është babai im, ai që më jep tespiet, por unë tani nuk besoj shumë. Nuk i ndjek ritet fetare, ndërsa prindërit i kanë ndjekur ritet fetare edhe kur ishte e ndaluar”. Një histori e jashtëzakonshme janë këto foto në krah. Të rinj që dikur detyroheshin të dilnin në manisfestim për të thënë se kishat janë vende që sjellin mallkime, por në të vërtetë i fshihnin kryqet brenda shtëpisë së tyre. Ky zotëri që e gjeta sërish pas 40 vitesh, më thotë se ka mbajtur të groposur në oborrin e shtëpisë së tij këtë kryq. Dhe ma tregon. Një histori e jashtëzakonshme. Tani e tregon i lirë këtë histori, ndërsa dikur protestonte me detyrim”.
Një nga realitetet që shumë pak njerëz e njohin, mes tyre jam edhe unë që nuk e dija se ekzistonte një manifestim i tillë si rukje, është edhe ky që ju sillni në këtë foto. Çfarë historie kanë këto dy fotgrafi?
Që kur i kam realizuar këto foto, shumë njerëz më kanë kërkuar informacione, më kërkonin t’ia tregoja sërish e sërish këtë festë, ku njerëzit kërcejnë dhe shpojnë veten. Janë realizuar këto fotografi në Shkodër, ku gjej disa burra që mund të quheshin dervish e që me këngë e valle krijonin një lloj lidhjeje me zotat. Një nga zotërinjtë e këtij kërcimi, ku nuk mungonte shpimi i trupit për të zbrazur të keqen, me aq sa kam kuptuar unë, e gjeta sërish në Shkodër. Është ky zotëri, që më thotë që ende vijojnë të tilla manifestime, ndonëse më pak si tradita.
Kjo ekspozitë vjen edhe si një thirrje për t’i rrëfyer shqiptarëve që të mos humbin memorien e tyre, apo jo?
Po, pikërisht këtë e thonë dy fotografitë këtu. Fotografia e parë është realizuar në një nga vendet e internimit në Shqipëri. Zotëria në foto ka qenë kasapi i fshatit, një zotëri me reputacion atë kohë, kur mishi merrej me vështirësi për të qenë në tavolinat e shqiptarëve. Sidomos në një zonë internimi. Pas 40 vitesh, kur po kërkoja në atë zonë për zotërinë, më thane që ai është taksisti i fshatit dhe se do të mund ta gjeja në kafene duke pritur. Shkoj dhe e pyes nëse ishte ai në këtë foto. Fillimisht refuzon me bezdisje. Por, pastaj e sheh, e risheh prapë dhe thotë se e ka harruar atë kohë. Nuk e di nëse jam unë, më thotë, dhe më shpjegon që ai nuk ka foto të asaj kohe, nuk kishte mundësi për foto e as që do ta kujtojë atë kohë. Me vështirësi shkrepa edhe foton e dytë, e vë atë përballë me njeriun që ka qenë përpara 40 vitesh. Me këtë dua të them se kjo është historia e një lloj qasjeje që disa shqiptarë kanë sot me të shkuarën. Por, të rinjtë duhet ta njohin të shkuarën”.
Një kapitull i rëndësishëm i kësaj përballjeje është edhe traditat e shqiptarëve. Michel Setboun u ka kushtuar rëndësi dasmave. Kjo është besoj fotografia që ju ka bërë më të njohur në Shqipëri. Është momenti kur nusja del nga shtëpia e prindërve dhe përcillet nga vëllai. 30 apo më shumë vite më vonë, si perceptohet kjo foto, besoj ke mbledhur komente.
Po kjo fotografi është realizuar në fund të viteve të komuzimit, kështu që 30 vite kanë kaluar. Një ndër më të njohurat e më të komentuarat. Vëllai qan për motrën teksa e përcjell. I gjeta sërish motër e vëlla pas 30 vitesh. Fillimisht, nipi i tyre ishte i acaruar që ata po më prisnin sërish në shtëpinë e tyre. Shqiptarët e kanë komentuar shumë keq këtë foto, ka pasur edhe reagime të mira, por… kur hyra në shtëpinë e zonjës dëgjova djalin që i tha: Pse e fusni brenda këtë? Ju me atë foto keni lënë nam. Por, ata më pritën. Fillimisht nuk pranuan që të bënim një foto tjetër, por me shumë vështirësi ia mbusha mendjen. Pasi unë mendoj se kjo traditë e të përloturit kur nusja ikën nga shtëpia e babait në një shtëpi të re që nuk e njeh është diçka shumë shpirtërore dhe e bukur. Nuk është për të ardhur turp nga kjo ndjesi. Është një histori shumë e bukur mendoj unë.
Një dasmë në rrënoja e një kishe të rrënuar, e më pas një histori divorci, është një tjetër histori…
Po, një foto e dasmës në rrënojat e një kishe. Dhe pas 40 vitesh i takoj sërish. Ata nuk ishin më bashkë, ishin divorcuar, por u bënë bashkë për foton e dytë, në të njëjtin vend, ku tani ishte ndërtuar kisha. Është një histori lirie. E bukur edhe historia e kësaj zonjës që ka qenë aq e vafër në kohën kur donte të martohej. E gjithë lagjja dhe fisi u bënë bashkë për të siguruar të ardhurat për dasmën. Kur shkoj në Sarandë tani pas 30 vitesh dhe ulem në një restorant për të ngrënë, në pritje zgjas tabletin të pyes nëse ndonjë e njeh këtë zonjën që kam fotografuar disa vite më parë. Më thonë se është sot pas 33 vitesh pronarja e hotelit. Atë kohë, kur zonja nuk kishte para’ për fotografitë e dasmës dhe ky ishte një kujtim që po ia dhuroja unë. 35 vite më pas ajo më tregoi hotelin që kishin ndërtuar në Sarandë.
Në një nga kthinat e ekspozitës gjejmë edhe fotografitë e Bajos, artistit dhe pedagogut që humbi jetën nga koronavirusi. Dy fotografitë e tij në 40 vite shndërrim janë të parat. Një pikë shumë e rëndësishme e ekspozitës është edhe qasja e shqiptarëve me artin. Ju keni fotografuar atë kohë artistë të rinj që keni nisur t’i rikërkoni. Në këtë korridor të ekspozitës imazhin e parë e mban Arben Bajo, një artist që nuk e kemi më.
Po. Më erdhi vërtet keq kur dëgjova lajmin se ai ishte ndarë nga jeta për shkak të koronavirusit. Kur e realizova foton e parë me Arben Bajon ai ishte ende një student i Akademisë së Arteve. Ai këtu është një student. Kur rikthehem pas 30 vitesh, pyes për njeriun që është këtu. Për shumë kohë, askush nuk e njihte, pasi portreti nuk është edhe shumë i dukshëm. Nuk e gjente dot askush kush ishte ky student. Mbase kishte shkuar jashtë Shqipërisë si shumë artistë të tjerë dhe e lashë kërkimin derisa një ditë, në ekspozitën time të parë në Tiranë, një kurator dhe njohës i artit në Shqipëri më thotë se ky mund të jetë Arben Bajo, por këtë mund ta vërtetonte vetëm Bajo. Bajo erdhi dhe më tha: “Po, unë jam ky student”. Mësova se Bajo ishte bërë pedagog, kishte tanimë studentët e tij. E pyeta nëse mund të shkoja për ta fotografuar sërish. Dhe ja fotografia e dytë e një njeriu që sot i mungon Shqipërisë dhe artit në shqipëri.
Ju i keni dhuruar Shqipërisë këto fotografi, ia keni dhuruar institucioneve zyrtare si një arkivë të çmuar. Pse?
Dikur, në një vend të vogël si Shqipëria, më dukej diçka joshëse. Ky vend i vogël donte të zhvillohej. Tiranën që ju keni sot nuk e gjeje atëherë. Sot, sheshi është plot njerëz dhe rrugët kryesore janë plot makina e trafik, atë kohë kur erdha shihje apo nuk shihje dy makina bashkë në rrugë. Unë kam qëndruar te 15-katëshi atëherë dhe ndonëse ishte një hotel shumë i mirë, ti e dije që aty kishe policinë që të kontrollonte veprimet dhe ajo që kujtoj nga vizita e parë ishte zgjimi nga një gjel që këndonte dhe jo nga një alarm i orës. Mendoni vetëm këtë për të kuptuar sa ka ndryshuar Shqipëria në 40 vite. Unë u zgjova në Hotel Tirana nga një gjel që këndonte në mëngjes. Tirana, Shqipëria, ju keni ndryshuar. Këto janë imazhet e historive të mbedhura në Shqipëri. Unë mbaj me vete kujtimet nga këto udhëtime të mrekullueshme. Ju duhet t’i përdorni si dëshmi për të kuptuar si keni qenë dhe si po e ndërtoni të ardhmen. Nuk duhet t’i mbaj vetëm për vete këto imazhe. Është një detyrë njerëzore t’ua rrëfej përmes imazhit një pjesë të asaj çka gjeta këtu. Unë i kam këto histori të gjitha me vete. Pse të mos ua tregoja edhe juve? Janë historitë tuaja. (A2 Televizion)
