Ibra bashkohet me Milanin në Dubai dhe shpalos objektivat: I duam të gjitha, mjafton të shohësh Marokun

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2022, 11:53 | Futboll
Ibra bashkohet me Milanin në Dubai dhe shpalos objektivat: I duam të

Edhe pse në moshën 41-vjeçare, Zlatan Ibrahimovic mund të vlerësohet sërish si një mungesë e madhe për Milanin që prej 22 majit për shkak dëmtimi.

Për herë të parë që prej asaj periudhe, ai është bërë pjesë e grupit të drejtuar nga trajneri Pioli në minifazën parapërgatitore për rifillimin e kampionatit pas Botërorit. Nga Dubai, aty ku po stërviten kuqezinjtë, Ibrahimovic ka shpalosur ambiciet e tij, duke thënë se kuqezinjtë do të synojnë të fitojnë në të gjitha fronte ku marrin pjesë.

“Jam mirë, po përmirësohem dita-ditës, po ndjek protokollin për t’u rikthyer. Milanit i mungon Ibra, por edhe e kundërta është e vërtetë, Ibrës i mungon Milani. Nga jashtë nuk është njësoj. Jam afër skuadrës për sa i përket motivimit, përgjegjësisë dhe presionit. E jetoj ndeshjen me adrenalinë, por jam mësuar të jem në fushë”.

Viti 2023 do ta shohë Milanin të angazhuar në 3 fronte pas shumë vitesh, Serie A, Kupa e Italisë dhe Champions League, madje edhe në Superkupë kundër Interit.

“Nuk ka një datë për rikthimin në fushën e lojës. Të ishte për dëshirën time do të zbrisja në fushë që në takimin e parë të kampionatit. Por jam i qetë dhe do të luaj kur të jem gati”, tha Ibra.

“Unë nuk kam më egon që kisha dhjetë vjet më parë. Sot jam ndryshe, më i pjekur, më i përgjegjshëm: e vendos veten në dispozicion të lojtarëve më të rinj dhe trajnerit. Nuk mendoj më se mund të bëj gjithçka i vetëm. Megjithatë, unë ende kam adrenalinë, i ndjej tifozët, fushën e lojës. Ndihem i gjallë. Zgjodha të bëj operacionin jo vetëm që të mund të vazhdoj të luaj, por edhe të ndihem mirë. Kam vuajtur shumë, në heshtje, nuk kam dashur ta flas për këtë pasi do të sillja negativitet për ekipin”, ka rrëfyer Ibra.

Më tej, ai thekson se kuqezinjtë do të provojnë të shkojnë sa më larg këtë sezon edhe në Champions League. "Serie A, Kupa e Italisë, Superkupa, Champions League, i duam të gjitha”.

Champions është një trofe që i mungon suedezit dhe nuk është një ëndërr, por një qëllim për të. “Nuk kam ëndrra, vetëm objektiva. Gjithçka është e mundur, futbolli ta mëson këtë. Ndodhin gjëra që nuk do t’i prisnit kurrë dhe këtu mjafton të shihni Marokun në Kupën e Botës. Milani ka një grup shumë të fortë. Forca jonë është grupi”.

41-vjeçari foli edhe për Serie A duke parashikuar një garë të ashpër. “Jemi të dytët dhe Napoli është i fortë. Kvaratskhelia është lojtari që më ka bërë më shumë përshtypje. Juventusi po kthehet dhe Interi është në garë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos