
Policia e Kosovës sot në rajonin e Mitrovicës veri, ka realizuar një operacion policor antidrogë, ku është arritur të zbulohen tre laboratorë me bimë narkotike, dy laboratorë me rreth 1200 bimë narkotike, si dhe laboratori i tretë (pa bimë) me pajisje të sofistikuara për kultivim të bimëve narkotike në të.
Sipas Policisë, operacioni policor i koduar me emrin “Shpata” është realizuar në tri vende të ndryshme.
Autoritetet, deri në këtë fazë, kanë arritur të arrestojnë dy persona, të etnisë serbe, ndërkohë që vijojnë hetimet në bashkërendim me organet e drejtësisë. “Policia mbetet fuqishëm e përkushtuar në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale në vend, në veçanti luftë e pa kompromis do të zhvillohet ndaj personave apo grupeve kriminale që merren me abuzimin, posedimin, kultivimin apo trafikimin e substancave narkotike (drogave) në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e policisë. (A2 Televizion)