
Gjykata e Tiranës la në burg Eriban Dajën, personin që u gjet brenda në 'shtëpinë e barit' të zbuluar në fshatin Pinet në Ndroq të Tiranës. Ai deklaroi se është i gatshëm të lërë garanci 3000 euro për të qenë i lirë, por gjykata nuk ia pranoi. Ndërkohë që në arrest shtëpie mbetën faturisti i energjisë elektrike Erjon Mema dhe elektricisti Qemal Hasa.
Në dosjen e siguruar nga A2 CNN mësohet se 'shtëpia e barit' u zbulua si pasojë e një hetimit të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave. Banesa e përshtatur si 'shtëpi bari' u lëshua me qira nga një person i cili jetonte në Austri.
Policia mori në pyetje një punonjës të një agjencie imobilare i cili kishte ndërmjetësuar marrjen e shtëpisë me qira. Në dëshminë e tij të dhënë para hetuesve qiramarrësja ishte një grua e cila u prezantua si Rudina Xhambazi. Policia ende nuk ka arritur ta gjejë 32-vjeçaren ndërsa e ka shpallur atë në kërkim.
Sipas policisë, 2 punonjësit e OSHEE-së, nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në këtë ambient, në zonën që ata kishin në monitorim. Vetë përgjegjësi i grupit të OSHEE pasi u mor në pyetje tha për hetuesit se banesa afër xhamisë kishte dalë me probleme të faturimit ndërsa kishte lënë porosi që energjia të ndërpritej nëse do te vijonte e njëjta situatë.
Në hetim është vënë edhe një punonjës policie në zonën e Ndroqit 39-vjeçari Adrian Malliku,. Gjatë zhvillimit të operacionit mëngjesin e 11 janarit u sekuestruan 247 bimë kanabis të kultivuara në vazo, 45 ushqyes e llamba llamba elektrike, 11 freskuese, shuma prej 120.000 lekë të rinj dhe 7 aparate celulare. (A2 Televizion)