Shtëpitë me qira kushtojnë, studentët në Durrës kërkojnë ndërtimin e një konvikti

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2022, 13:04 | Sociale

Ndonëse renditet i dyti në vend për nga numri i studentëve, universiteti "Aleksandër Mosiu" në Durrës prej 17 vitesh nuk ka një konvikt për studentët që vijnë nga rrethet. Nje pjesë e studentëve kanë nisur mbledhjen e firmave për ndërtimin e konviktit, pasi shtëpitë me qira po shtrenjtohen dhe janë të vështira për t'u gjetur.

Studentë të universitetit Aleksandër Moisiu në Durrës kërkojnë ngritjen e një konvikti pranë këtij universiteti. Prej 17 vitesh, që nga krijimi, ky universitet nuk ka ende një konvikt për studentët që vijnë nga rrethet e tjera dhe që nuk janë të paktë.

Universiteti "Aleksandër Moisiu"

Për këtë arsye, një grup studentësh kanë ndërmarrë një nismë për mbledhjen e firmave të nevojshme në mënyrë që të angazhojnë institucionet për ngritjen e konviktit.

“UAMD është universiteti i dytë më i madh në Shqipëri dhe pret shumë studentë nga rrethet, që në mungesë të konviktit duhet të paguajnë tarifa të larta për qiranë. Na duhen 2500 firma për ta çuar në instanca më të larta, deri më tani kemi marrë 400 firma”, thotë për A2 CNN një nga organizatoret e peticionit.  

“Është e vështirë të gjesh apartamente, sidomos pas tërmetit".

Sakaq studentët që vijnë nga rrethet  e tjera tregojnë vështirësitë që hasin si për të gjetur banesa me qira në Durrës ashtu edhe për t’i paguar, ndërsa çmimet sa vijnë dhe rriten.

“Për akomodim shpenzoj 25 mijë lekë”, thotë një studente, një tjetër shton se “është e vështirë të gjesh apartamente sidomos pas tërmetit. Nuk ka shtëpia dhe janë shumë të vogla”.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka 5 fakultete dhe numëron rreth 20 mijë studentë, nga të cilët më shumë se 50% e të cilëve vijnë nga rrethet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos