
Turistët shtohen gjithnjë e më shumë në Shqipëri, edhe pse ajo çka kemi për t’iu ofruar çalon. Këtë na e vërtetojnë edhe të dhënat e publikuara nga INSTAT për lëvizjen e shtetasve.
Në Shtator 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 761,544. shifër 54,1 % më e lartë, krahasuar me shtatorin e shkuar. Edhe me ardhjen e tetorit numri i turistëve në qytetet shqiptare është i lartë, me shumë persona që preferojnë këtë periudhë të vitit për të vizituar vendin tonë.
Po çfarë iu ofron Shqipëria turistëve në këtë kohë? Me ardhjen e dimrit, operatorët turistike bien në letargji përgjatë temperaturave të ulta.
Eksplorimi kulturor, në plan afatshkurtër, mund t’i japë shtysë turizmit gjithëvjetor, por edhe në këtë aspekt, dominon një mungesë organizimi.
Strukturat akomoduese dhe infrastruktura e përshtatshme për turizëm, pavarësisht relievit të larmishëm malor, duket se janë të aksesueshme vetëm gjatë muajve të ngrohtë të vitit.
Turizmi ishte asi nën mëngë i ekonomisë shqiptare pas pandemisë dhe gjatë krizës së çmimeve, por edhe pse konsiderohet prioritet, sërish vijon të mos jetë në vëmendjen e qeverisë. Teksa industria kërkon investime për turizëm gjithëvjetor, parashikohet që buxheti për këtë sektor të tkurret me 600 milionë lekë.
(A2 Televizion)