
Thirrjet për zgjatjen e operacionit të evakuimit nga Kabuli, përtej afatit të përcaktuar të 31 gushtit, pritet të dominojnë samitin e G7-s që mbahet sot në Britaninë e Madhe. Trupat amerikanë, që po ndihmojnë evakuimin duhet të largohen në fund të muajit, por presidenti amerikan Joe Biden, përballet më trysni në rritje për t’i lejuar atje më gjatë. 48 mijë shtetas të huaj dhe bashkëpunëtorë afganë të koalicionit të udhëhequr nga SHBA janë larguar deri më tani nga vendi, por shumë të tjerë janë ende në pritje.
Jake Sullivan: Siç e kam thënë më parë, siç e ka thënë dhe presidenti, ne besojmë se kemi kohë deri në 31 gusht për të larguar çdo amerikan që do të iki prej andej”.
Por Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe kërkojë më shumë kohë për të kompletuar evakuimin.
Jean YvesLe Drian, ministër i Jashtëm i Francës: Jemi të shqetësuar për afatin e vendosur nga SHBA në 31 gusht. Na duhet më shumë kohë për të përfunduar operacionin.
Heiko Maas, ministër i jashtëm gjerman: Ka diskutime në SHBA, nëse do të jetë ose jo e mundur të evakuohen të gjithë qytetarët në kohën e mbetur. Ka dyshime të mëdha për këtë dhe prandaj po konsiderojmë zgjatjen e misionit.
Kryeministri britanik Boris Johnson pritet të bëjë një kërkesë të ngjashme gjatë samitit virtual të liderëve të G7-tës. Sipas CNN, ushtria amerikane ka këshilluar presidentin Joe Biden të vendosë brenda të martës nëse do të zgjasë ose jo misionin, në mënyrë që të mundësojë përgatitjen në kohë, për largimin e trupave dhe pajisjeve. Por teksa i duhet të marrë vendimin e vështirë, Biden duhet të bëjë llogaritë edhe me ultimatumin e talebanëve për të ikur në 31 gusht.
Suhail Shaheen, zëdhënës i Talebanëve: Ata pranuan t’i tërhiqnin forcat deri në 1 maj, por e shkelën afatin. Më pas njoftuan se do të ikin në 31 gusht. Duhet t’i përmbahet njoftimit, pasi përndryshe do të ishte shkelje e qartë. Lidershipi ynë do të vendosë se si do të reagojë në këtë rast. (A2 Televizion)