Shtrenjtimi i naftës dhe çmimeve, rajoni merr masa ndihmëse, Shqipëria ende pa vendim

Nga A2 CNN
10 Mars 2022, 12:47 | Aktualitet
Shtrenjtimi i naftës dhe çmimeve, rajoni merr masa ndihmëse,

Rritja e çmimit të karburanteve ka prekur të gjithë rajonin, edhe pse është Shqipëria që mban rekordin për një litër naftë. Vendet e tjera kanë nisur të marrin masa, jo vetëm për të amortizuar kostot në transport, por edhe për të mbrojtur qytetarët nga çmimet e tjera.

Ndërsa qeveria shqiptare duhet ende të marrë një vendim të tillë, duke mbetur e fundit në Ballkan që shpall një paketë ndihme për atë që vetë kryeministri e konsideron një situatë të re lufte.

Maqedonia e Veriut ka vendosur të heqë TVSH-në për produktet bazë ushqimore, ndërsa familjet më të varfra do të trajtohen me kuponë ushqimorë. Tek nafta zbatohet një çmim tavan, ndërsa sërish është vendosur për uljen e akcizës dhe TVSH-së, për një paketë që pritet të kushtojë 400 milionë euro.

Kosova ka nisur të aplikojë gjithashtu një marzh fitimi prej jo më shumë se 4% për tregtarët me shumicë të hidrokarbureve.

Serbia ka vendosur të heqë akcizën e naftës dhe po mbush depozitat e saj për të krijuar rezerva, duke ndaluar njëkohësisht eksportet e lëndëve të para.

Në Greqi, qeveria ka akorduar një fond prej 400 milionë eurosh për familjet e varfra, ndërsa Kroacia po ashtu ka hequr akcizën e karburanteve.

Vlerësimi i këtyre qeverive është se nga çmimi i lartë i karburanteve, ekonomia humbet shumë dhe rrezikon kriza. Ndërsa në Shqipëri pritet që me këto çmime, qeveria të arkëtojë 100 milionë dollarë më shumë vetëm nga TVSH-ja e naftës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos