
Çmimi i naftës është rritur sërish edhe këtë mëngjes, duke kapur një tjetër nivel rekord prej 260 lekësh për litër. Shtrenjtimi me 10 deri në 20 lekë brenda ditës është reflektuar në të gjitha stacionet e karburanteve, pas rritjes së çmimeve nga operatorët që shesin me shumicë.
Kompanitë e lidhin situatën me rritjen e çmimeve në bursa ndërkombëtare, ku një fuçi naftë bruto kapi vlerën e 129 dollarëve ditën e djeshme. Por përveç çmimit, sipas tyre ka vështirësi edhe në sigurimin e produktit.
Prej fillimit të muajit, litri i naftës në treg është rritur me mbi 65 lekë, apo thuajse çdo ditë me nga 10 lekë. Një ndikim të madh në rritje po jep edhe zhvlerësimi i lekut në raport me valutat e huaja, ku dollari këmbehet me 118 lekë, ndërsa euro me gati 129 lekë, nga nivele ndjeshëm më të ulëta një muaj më parë. (A2 Televizion)