
Ky dimër duket se do të jetë i vështirë për dhjetëra familje të varfra që jetojnë në bashkinë minoritare të Pustecit. Krahas papunësisë dhe bujqësisë që nuk jep të ardhura të mjaftueshme, banorët këtë dimër do të përballen edhe me dyfishim të çmimit të druve të zjarrit.
Në këtë zonë, zjarri përdoret jo vetëm për ngrohje, por edhe për gatim. Alarmin për këtë situatë e ka dhënë ish-deputeti dhe njëkohësisht kryetari i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian, Vasil Sterjovski.
Edhe vetë banorët e Pustecit konfirmojnë vështirësitë deri në pamundësi për të përballuar çmimet e rritura të druve të zjarrit.
Ndërkohë burime nga bashkia e Pustecit, shprehen se rritja e çmimit është bërë me kërkesë të Zonave të Mbrojtura pa marrë shumë parasysh faktin se gjendja ekonomike e familjeve në Bashkinë e Pustecit është tepër e rëndë. (A2 Televizion)