
Mbledhja e Këshillit të Mandateve që do të vendosë për kërkesën e SPAK për të arrestuar ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj është shtyrë për ditën e nesërme.
Vendimi u mor nga mazhoranca pas kërkesës së avokatëve të Ahmetajt, të cilët pasi zbuluan se ish-numri dy i qeverisë nuk ndodhet në Shqipëri, kërkuan shtyrjen e mbledhjes për të marrë më tepër kohë për përgatitjen e mbrojtjes.
Pas përfundimit të mbledhjes për mediat ka folur kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili ka kundërshtuar vendimin e mazhorancës, duke e cilësuar antikushtetues dhe tentativë për t’i dhënë kohë Ahmetajt.
Sipas Bardhit, socialistët madje do të tentojnë që autorizimin për Prokurorinë e Posaçme ta lëshojnë javën e ardhshme, pasi rendi i ditës për seancën e radhës është përcaktuar.
“Mbledhja filloi me një kërkesë që mbledhja të ishte e hapur për mediat dhe opinionin publik. Sipas kushtetutës dhe Rregullores duhet të ishte Këshilli i rregullores që vendoste për mbledhjen, por në mënyrë arbitrare mazhoranca e mori vendimin pa votim dhe mbledhja vijoi me dyer të mbyllura. Diskutimet e bëra nga SPAK nuk kishin informacion shtesë përveç atyre që janë bërë publike. Nuk kishte informacione shtesë, ashtu siç ishte paralajmëruar për ti dhënë kohë zotit Ahmetaj , i cili u konfirmua nga avokatët se ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë. Avokatët e dinin që ai nuk ka ikur për t’u arratisur, e kishin bindje këtë, por nuk dinin ku kishte ikur dhe ku ndodhej. Në një tentativë antikushtetuese të mazhorancës për ti dhënë kohë zotit Ahmetaj, u vendos të shtyhej seanca për nesër. Duke tentuar në fakt shtyrjen për dhënien e autorizimit javën që vjen, pasi rendi i ditës është publikuar për këtë seancë dhe do të tentohet shtyrja e autorizimit javën që vjen. Kuvendi do të duhet të kishe lejuar Prokurorinë, ti jepte autorizimin që ti drejtohej gjykatës”.
Ai iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me pyetjen që i drejtoi përfaqësuesve të akuzës, nëse Ahmetaj ndodhet apo jo në Kanada.
“Kam pyetur drejtuesin e SPAK nëse Ahmetaj është në Shqipëri apo ndodhet në Kanada. Nuk kam marrë një përgjigje nga drejtuesi i SPAK dhe sa kohë skam konfirmim prej tij nuk dua të aludoj për vendin ku ndodhet zoti Ahmetaj. Informacionet që ne dispononim dhe ia vumë në dispozicion Prokurorisë u konfirmuan nga avokati i tij. Kanë kaluar 3 apo 4 ditë që janë kohë e mjaftueshme që Ahmetaj të largohet nga Shqipëria”, u shpreh Bardhi. (A2 Televizion)