Shtyhet seanca e mbrojtjes për Fadil Kasemin

Nga A2 CNN
8 Janar 2019, 12:33 | Kronikë
Shtyhet seanca e mbrojtjes për Fadil Kasemin

Seanca e parashikuar për t’u zhvilluar sot në gjyqin e Fadil Kasemit, të akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes Fildez Hafizi është shtyrë.

Shkak për këtë është bërë mos përgatitja e konkluzioneve përfundimtare nga pala mbrojtëse, pasi avokati i tij, Ilia Ilia, ka qenë jashtë vendit për arsye shëndetësore. Avokati i Kasemit i paraqiti gjykatës edhe dy kërkesa për të riçeljen e hetimeve dhe përballjen e klientit të tij me një nga oficerët e policisë gjyqësore, kërkesa që u rrëzuan të dyja nga trupa gjykuese.

Gjykata mori nën administrim provat shkencore për gjendjen psikike të Fadil Kasemit, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 17 janar.

Më 27 dhjetor, Prokuroria e Krimeve të rënda dha pretencën për Fadil Kasemin, duke kërkuar burgim të përjetshëm të cilin duhet ta kryejë në një burg të sigurisë së lartë.

Kasemi ekzekutoi ish-bashkëshorten e tij, gjyqtaren Fildez Hafizi më 31 gusht të vitit 2017, në Tiranë. Ngjarja shkaktoi reagime të shumta për mos funksionimin e hallkave që duhet të kishin mbrojtur të ndjerën, e cila kishte pasur edhe më parë probleme me ish-bashkëshortin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos