
Mosnjoftimi për seancën gjyqësore të një të pandehure që prej muajsh mbahet në “arrest shtëpie” u bë shkak për dështimin e radhës të procesit gjyqësor të dosjes së inceneratorit të Elbasanit në Gjykatën e Posaçme.
Trupi gjykues relatoi në proces se policia kishte njoftuar se nuk kishte mundur të gjente adresën e të pandehurës Jonida Zeqo, ish-anëtare e Komisionit për Dhënien e Koncensionit. Avokati i Zeqos, Sajmir Visha, shprehu habi për faktin, duke thënë se një ditë më parë klientja kishte qenë në zyrën e tij. Më tej, ai i tha gjykatës se në ditët në vijim do të nëshkruante një prokurë të re, ku edhe do të saktësonte adresën, për t’ia vënë në dispozicion gjykatës.
Ndërkohë, njoftim nuk kishin marrë as dy shoqëria që fitoi koncesionin e inceneratorit të Elbasanit, “Albtek Energy” shpk dhe shoqëria që zbatoi punimet, “Integratet Technology Servises”, të pandehur si persona juridikë në proces.
Gjykata tha se shoqëritë kanë ndërruar adresë e se asnjë punonjës nuk ka firmosur fletë-thirrjen e gjykatës. Për këtë arsye, gjykata ka ngjitur një fletë-shpallje për datën e orën e gjyqit në portën e inceneratorit të Elbasanit e një tjetër në një adresë në Tiranë.
Në seancë u relatua se Interpol Tirana ka njoftuar gjykatën se dy biznesmenët e inceneratorëve, Stela Guallja dhe Mirel Mërtiri, janë lokalizuar në Austri dhe se për të dy Ministria e Drejtësisë ka dërguar kërkesë për ekstradim, ndërsa nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e Klodian Zotos.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti i PS, Alqi Bllako, nuk ishin prezentë në sallë, ku u përfaqësuan nga avokatët mbrojtës. Seanca e radhës u caktua në 20 prill, ora 09:30. (A2 Televizion)