Shuhen vatrat e zjarrit në Kurbin, Peleshi: Po punohet për shuarjen e flakëve në Fier, Tepelenë dhe Finiq

Nga A2 CNN
23 Gusht 2023, 16:08 | Aktualitet

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka njoftuar se janë shuar vatrat e zjarrit në Bashkinë e Kurbinit. Në një postim në Facebook, Peleshi thotë se janë shuar përfundimisht zjarret në kurorën e qytetit të Laçit, ku situata që prej ditës së djeshme ishte kritike. Gjithashtu është shuar zjarri edhe në fshatin Treblovë të Selenicës dhe janë shpëtuar 4 shtëpi. Ndërkohë po punohet për shuarjen e vatrave të zjarrti në Fier, Tepelenë dhe Finiq.

Postimi i Niko Peleshit

Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, gjatë ditës së sotme kanë bërë të mundur shuarjen përfundimtare të vatrave aktive të zjarrit në fshatin Delbnisht, në Njësinë Administrative Milot, bashkia Kurbin. Në kurorën e qytetit të Laçit, afër Kishës së Shën Antonit, aty ku situata ishte tejet kritike që prej ditës së djeshme, vatrat e zjarrit janë shuar përfundimisht. Momentalisht, situata është e qetë dhe po monitorihet nga punonjësit e zjarrfikëses dhe shërbimit pyjor.

Gjithashtu është bërë e mundur shuarja e një vatre zjarri pranë superstradës Milot-Lezhë.

Në fshatin Treblovë, në bashkinë e Selenicës të qarkut Vlorë, zjarri është arritur të shuhet plotësisht. Fal ndërhyrjes në kohë me helikopter u bë e mundur shpëtimi i 4 shtëpive.

Po punohet me intensitet për mbajtjen nën kontroll të vatrave të zjarrit në fshatin Jarua, bashkia Fier ku është shmangur rreziku për banesat.

Në fshatin Sinanaj, në bashkinë Tepelenë, punohet nga terreni për izolimin e vatrës së zjarrit.

Puna vijon edhe në fshatin Grazhdan, në bashkinë e Finiqit për normalizimin e vatrës pas riaktivizimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos