
Një ditë pasi aksidentit te rruga e Kosovarëve, që tronditi opinionin publik, mësohet 26-vjeçari Eldi Allushi, jo vetëm që nuk ka qenë shoferi i BMW-së luksoze, por në makinë kanë qenë edhe 2 persona të tjerë. Në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit, thuhet shofer ka qenë Emiljano Nina, 28 vjeç, banues në Tiranë, tashmë i shpallur në kërkim.
Si rezultat i hetimeve të kryera, është arritur në përfundimin se 28-vjeçari për shkak të shpejtësisë së lartë ka humbur kontrollin e makinës e për rrjedhojë “ka fluturuar” te diga e Liqenit Artificial. Më pas, ai së bashku me Eldi Allushin dhe një person të tretë i identifikuar si Jurgen Allushi, janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Makina ka qenë në pronësi të Eldi Allushit, por në ato momente po drejtohet nga shoku i tij, 28-vjeçar. Ndaj këtij të fundit rëndojnë 7 vepra penale, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. E ndërsa pas kontrollit në shtëpinë e tij është gjetur dhe një shkop bejsbolli.
Sa i përket Eldi Allushit, tashmë në prangat e policisë, ai ka dhënë dëshmi të rreme në Komisiariat për të mbrojtur shokun e tij, për këtë arsye akuzohet për veprat penale “Moskllëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Aksidenti u regjistrua rreth orës 05:15 të mëngjesit të kësaj të marte dhe për fat të mirë, në atë orar nuk ka pasur lëvizje, duke shmangur një tragjedi me përmasa të mëdha.
“Specialistët e Qarkullimit Rrugor, në vijim të veprimeve procedurale për aksidentin e ndodhur rreth orës 05:15, të datës 22.08.2023, në Rrugën e Kosovarëve, kanë arrestuar shtetasin:
-E. A., 26 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Moskllëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;
-kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të të lirë për shtetasin J. A., 25 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;
- kanë shpallur në kërkim shtetasin E. N., 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. N., duke drejtuar automjetin "BMË", në pronësi të shtetasi E. A., për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, ka humbur kontrollin, për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore, te Liqeni Artificial. Pasagjer në këtë automjet ka qenë shtetasi J. A., i cili pas aksidentit, është larguar bashkë me drejtuesin e automjetit.
Shtetasi E. A. ka përkrahur drejtuesin e automjetit dhe ka penguar në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, duke dhënë dëshmi të rreme në lidhje me rrethanat e aksidentit.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një shkop bejsbolli që është gjetur në banesën e shtetasit E. N. Policia vijon kontrollet për kapjen dhe arrestimin e këtij shtetasi”.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
(A2 Televizion)