
Mbetet kritike situata e zjarreve në jugun e vendit. Në Lunxhëri, ku dje u shkaktua edhe një humbje jete nga flakët, situata është drejt përmirësimit, edhe pse ende e paqëndrueshme.
Sot në fshatrat Asim Zeneli, Arshi Lengo dhe Krinë janë shuar pjesa më e madhe e vatrave aktive, si rezultat i punës së forcave të emergjencës civile dhe ushtrisë, gjatë gjithë natës, ndërkohë që burimet e A2 dëshmojnë se në fshatin Krinë është riaktivizuar një vatër.
Në Krinë është i pranishëm edhe ministri Niko Peleshi, ndërkohë që në fshatrat e goditura janë evakuuar pjesa më e madhe e banorëve, me dhjetëra familje që gjithsesi tentojnë të rikthehen në banesat e tyre sapo flakët përreth vihen nën kontroll.
Ndërkohë në Karaburun, ku pjesë e forcave të emergjencës ishin tërhequr për t’iu drejtuar zonës së Gjirokastrës, situata mbetet shqetësuese.
Flakët mbeten shqetësuese në afërsi të bazës së Pashalimanit, në zonën e Gjirit të Gramës, por edhe në parkun e Llogarasë, ku distanca e flakëve nga kurora e pemëve të parkut kombëtar është zvogëluar ndjeshëm, dhe mund të kufizohet me ndërhyrje nga ajri që priten nga një mjet i dërguar nga Gjermania. (A2 Televizion)