Kurt Zouma, mbrojtës i West Ham dhe kombëtares franceze, është bërë protagonist i një videoje që ka shkaktuar indinjatë të madhe në botën e futbollit dhe jo vetëm.
27-vjeçari shihet duke shkelmuar dhe goditur me shuplakë macen e tij, ndërkohë që në sfond dëgjohen të qeshura nga njerëz që regjistrojnë videon.
Ndërkohë që klubi ku luan u distancua menjëherë nga veprimet e futbollistit, vetë Zouma kërkoi ndjesë publike: “Edhe pse nuk ka justifikim për sjelljen time, për të cilën jam penduar sinqerisht, dua të kërkoj ndjesë. Më vjen shumë keq për të gjithë ata që janë tronditur nga videoja dhe garantoj që dy macet tona janë shumë mirë, kanë dashurinë e të gjithë familjes sime dhe bëhet fjalë për një incident të izoluar, që nuk do të përsëritet”.
Fakti është që videot nuk lënë aspak vend për interpretime: macja ndiqet nga lojtari i Premier League, goditet me shuplaka, i hidhen shapka e këpucë dhe në fund goditet me shqelm, si të ishte top futbolli.
West Ham shpërndau një komunikatë për shtyp, ku “dënon ashpër veprimet e Kurt Zouma” dhe shton se “do ta trajtojë këtë çështje së brendshmi”, duke garantuar se klubi nuk e fal dhunën ndaj kafshëve.
Përveç gjobës ose pezullimit për disa ndeshje, Zouma rrezikon të ketë probleme edhe me autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar, ku dënimi maksimal për keqtrajtimin e kafshëve shkon deri në 5 vite burg. Por, për momentin, mediat angleze thonë se policia nuk e ka nisur hetimin. (A2 Televizion)