
Edhe pse interneti apo llogaritë në rrjetet sociale janë bllokuar në Republikën Islamike të Iranit, pamjet e protestave vijojnë të shpërndahen në rrjet. Ndonëse kryengritja e qytetarëve u frymëzua nga vrasja e 22-vjeçares Mahsa Amini, sërish forcat e sigurisë së Republikës Islamike nuk po kursejnë vajzat e reja që protestojnë për të drejtat e tyre.
Pamjet që vijnë nga qytete të ndryshme të Iranit, si Tabriz, ku forcat e sigurisë të përbëra nga gra arrestojnë në mënyrë të dhunshme një vajzë. Protestuesit kanë shprehur urrejtjen dhe për sjelljen e forcave të sigurisë të cilat sipas tyre dhunojnë edhe seksualisht.
Sipas të dhënave të publikuara nga rezistenca iraniane mes viktimave ka më shumë vajza. Nadia Arefani është 23-vjeçarja nga Fardisi e cila u plagos rëndë gjatë sulmeve ndaj protestuesve në Karaj më 8 tetor. E reja humbi jetën për shkak të plagëve të rënda një ditë më pas.
E tillë ishte dhe historia e 35-vjeçares Shirin Alizadeh nga Isfahani. Ajo u qëllua për vdekje gjatë protestave në Ramsar më 22 shtator. Familjes iu tha të heshtnin nëse donin të merrnin trupin e saj. Kur protestat vijojnë për gati një muaj, veç djemve të rinj, numri i vajzave të torturuara dhe të vrara po rritet në mënyrë të ndjeshme. 16-vjeçarja Sarina Esmailzadeh u torturua për vdekje nga forcat e sigurisë, Nika Shakarami, një tjetër 16-vjeçare e cila u vra pasi dogji shaminë e saj por edhe Hadis Najafi, e cila u qëllua për vdekje gjatë protestave.
Protestat kundër regjimit islamik, që ka sunduar Iranin për dekada, mbërthyen vendin pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, pasi ajo u arrestua nga policia morale e vendit sepse nuk mbante siç duhet hixhabin. Vdekja e saj shkaktoi përleshje të dhunshme midis demonstruesve dhe autoriteteve duke regjistruar qindra të vrarë e mijëra të arrestuar. (A2 Televizion)