
Të gjithë bëjnë thirrje: Lani sa më shpesh duart! Megjithatë, edhe larja e shpeshtë e duarve mund të sjellë probleme për lëkurën.
Ermira Vasili, shefe e Shërbimit të Dermatologjisë në QSUT, foli në A2 mbi këtë problem. Mjekja dermatologe theksoi se larja e shpeshtë e duarve mund të shoqërohet edhe me probleme anësore, si tharje të lëkurës apo plasaritje të saj. “Është e rëndësishme, pa cenuar rregullat e higjienës, ne duhet të ndihmojmë personat të minimizojnë problemet anësore. Mund të ndodhë tharje e lëkurës dhe plasaritje, ku mund të futen edhe mikrobet”.
Por çfarë mund të bëjmë? “Do iu këshillojë personave me lëkurë normale, pasi lajnë duart me sapun, tharja të bëhet patjetër, duart mos i lini të lagura. Uji heq yndyrën. Mbas tharjes së lëkurës mund të përdorni edhe krem. Njerëzit me duar jo aq të thata, të krijojnë një shtresë të mirë me krem dhe në mëngjes do të zgjohen me një lëkurë të butë”, shprehet dermatologia, e cila shton se ekzagjerohet disi me larjen e duarve apo me alkoolin, por këto ditë më mirë të ndodhë kështu.
Vasili thekson se kujdes të veçantë duhet të bëjnë personat që pastrojnë shtëpinë apo ata që vuajnë nga probleme të lëkurës.
“Personat që merren me pastrimin e shtëpive, duhet të përdorin patjetër doreza gjatë pastrimit të sipërfaqeve të ndryshme me dezinfektim.
Kujdes të veçantë të bëjnë edhe personat që vuajnë nga ekzema, pasi lëkura e duarve të tyre është problematike edhe në kohë normale. Pa cenuar rregullat ndaj Covid-19, këta persona duhet gjatë gjithë ditës të përdorin kremin emolien, ndërsa natën mund të vendosin një krem më të trashë. Nëse lëkura e tyre vijon të ketë probleme, duhet patjetër të kontaktojnë mjekun”, shprehet mjekja Vasili. (A2 Televizion)