
Banorët e Sidneit do të jenë në izolim edhe për një javë tjetër, ndërsa qyteti më i madh australian po lufton për frenuar një shpërthim të infektimeve. Qeveria e Uellsit të ri Jugor, tha se kishte marrë vendimin e vështirë, për shkak të përhapjes së variantit më të transmetueshëm, atë Delta.
“Qeveria e Uellsit të Ri Jugor, bazuar në rekomandimet e ekspertëve të shëndetësisë, mori vendimin e vështirë për të zgjatur izolimin dhe kufizimet ekzistuese me një javë tjetër, deri në mesnatën e së premtes, më 16 korrik. Shtama Delta po ndryshon rregullat e lojës. Është shumë më i transmetueshëm se çdo formë tjetër e virusit që kemi parë deri më tani”, deklaroi Gladys Berejikliank, kryeministrja e Uellsit të Ri Jugor.
Urdhri i qëndrimit në shtëpia u lëshua më 26 qershor pas regjistrimit të rasteve me koronavirusin indian, ku 330 rastet e shënuara ditë e fundit, përbëjnë bilancin më të lartë të gjithë vitit në Sidnei.
5 milionë banorë të qytetit do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllur e po ashtu edhe shkollat nuk do t’i hapin dyert. Qeveria lokale tha se e kupton dhimbjen dhe stresin që po shkakton izolimi për familjet dhe bizneset, por se 27 rastet e regjistruara të mërkurën dhe nivelet e ulëta të vaksinimit, nënkuptonin se kufizimet duheshin zgjatur.
Më pak se 10 për qind e australianëve janë të vaksinuar plotësisht, ndërsa ka mungesa të furnizimeve me vaksina, veçanërisht të Pfizer. (A2 Televizion)