Sindikata e Policisë së Shtetit i është drejtuar përmes një letre kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, të cilit i kërkon që të mos kalojë në Kuvend projektligji për trajtimin financiar të punonjësve të policisë, Gardës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme.
Mes të tjerave, kreu i kësaj sindikate, Sadetin Fishta, përmend një nen të Kushtetutës për të Drejtat e Njeriut dhe shprehet në letër se, “Askujt nuk mund t’i kërkohet të kryejë punë të detyruar, përveçse në rastet e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor. Z.Kryetar, çfarë faj kanë bërë punonjësit e policisë që Qeveria dhe Parlamenti kërkojnë t'i dënojnë me ligj, me punë të detyruar, për shkak se kanë mbushur moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vite karrierë? Sindikata kundërshton edhe një tjetër pikë të projektligjit, sipas së cilës, punonjësi i policisë largohet nga detyra me kërkesë të eprorit apo titullarit, pasi sipas kësaj sindikate, punonjësit e policisë nuk mund të jenë pronë e titullarit apo eprorit.
Pak ditë më parë, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, u shpreh në A2, se efektivët e policisë mbi 55 vjeç do të vijojnë të trajtohen njëlloj me pagë dhe do të caktohen në detyra të tjera mbështetëse, si për shembull, fushatat sensibilizuese apo qarkullimin rrugor. (A2 Televizion)