Sistemi i gjobave jashtë funksioni, asnjë mundësi për pagesë, shkeljet do të hidhen manualisht

Nga A2 CNN
15 Shtator 2022, 17:22 | Ekonomi
Sistemi i gjobave jashtë funksioni, asnjë mundësi për

Kushdo që ka marrë një gjobë ditët e fundit dhe ka dashur ta paguajë, mund të ketë konstatuar një problem. Sistemi i Policisë së Shtetit është jashtë funksionit.

Pas interesimit të A2 CNN, Policia e Shtetit nuk mundi të konfirmonte se cilët sisteme, krahas gjobës janë jofunksionale, edhe pse burime për televizionin tregojnë se thuajse çdo lidhje me institucionet e tjera është jashtë përdorimi.

Për momentin shlyerja e kundërvajtjeve rrugore është e pamundur, duke përfshirë edhe zyrat e Postës Shqiptare, pikat e tjera të pagesave, apo aplikacionet për celularë. Ndërkohë, kamatat për këto gjoba vazhdojnë.

Arsye pse është kërkuar nxjerrja e një akti normativ për faljen e vonesave, me mundësinë për të përfituar edhe nga zbritja prej 20% për pagesën e shpejtë të gjobave, në momentin kur sistemi të jetë sërish funksional.

Pa akses në sistem janë rrjedhimisht edhe efektivët e Policisë Rrugore. Por kujdes, kjo nuk do të thotë që kundërvajtjet tuaja rrugore janë fshirë, as se nuk lëshohen gjoba të reja.

Burime për A2 CNN, tregojnë se efektivët po punojnë me blloqe, për të hedhur më pas manualisht në sistem të gjitha shkeljet e kryera përgjatë ditëve që sistemi nuk funksionon. Prandaj kini kujdes me shpejtësinë, rripin, telefonin dhe vendin ku parkoni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos