
Epidemiologu, Taulant Muka, foli në A2 mbi situatën aktuale nga pandemia e koronavirusit. Ai u shpreh se autoritetet në Shqipëri nuk duhet të përhapin panik në lidhje me simptomat e rënda tek të rinjtë. Ai theksoi se të dhënat në shtetet europiane nuk e tregojnë një gjë të tillë.
“Nuk duhet të çuditemi nëse vendosim masa të reja nëse rritet kurba epidemike. Por, unë nuk besoj se mbyllja e lokaleve apo moslëvizja e qytetarëve pas orës 20:00 ka efikasitet në uljen e rasteve.
Më shqetëson komunikimi publik ku thuhet se moshat e reja janë ata që përhapin më shumë infeksionin, por evidenca nuk e tregon me ato shifra që publikon ministria, dhe nga ana tjetër kur trumbetohet në media nga profesionistë se moshat e reja po paraqesin simptoma të rënda. Të paktën, sipas të dhënave nga bota perëndimore, nuk tregohet një gjë e tillë. Në rast se është e vërtetë duhet të tregohet se sa nga këta të rinj paraqiten me simptoma të rënduara në mënyrë që të mos përhapim panik te qytetarët”.
Më tej, Muka u shpreh se Covid-19 është sezonal dhe është normale që të ketë shtim të rasteve në janar-shkurt. (A2 Televizion)