
Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, kërkoi nga Kryeministri Rama që të raportojë në Kuvend për draft-propozimin e tij për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Rithemelimit tha se Kuvendi dhe qeveria duhet të dalin me deklarata në mbështetje të Kosovës.
“Sensitivitet më të lartë për atë që po ndodh në Kosovë nuk ka. Ne këtu nuk jemi administratë e Këshillit të Ministrave. Jemi parlament. Nëse nuk reagon parlamenti dhe nuk merr llogari nga kryeministri, do të thotë që ne nuk po bëjmë detyrën tonë. Nëse ka një interes që shkruhet që në preambulë është interesi kombëtar. Dhe nëse ka një gjë që shkruhet që në fillim në Kushtetutë është që të futemi edhe në aleanca për mbrojtjen e interesit kombëtar. Duhet të kishim kryeministrin për të kuptuar si e shfrytëzojmë aleancën për mbrojtjen kombëtare. Rama duhet të japë llogari për atë që i ka propozuar të tjerëve, por jo Kosovës. Çdo gjë tjetër është thikë pas shpine”, tha Bylykbashi. (A2 Televizion)