
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj homologut të saj serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë fjalës së mbajtur në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Ndërsa u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, Osmani tha ndër të tjera se përgjegjëse për situatën në Veri të Kosovës është vetë Serbia.
Ajo tha se bandat e përkrahura nga Vuçiç, kanë si qëllim kryesor destabilizimin e Kosovës. Kurse, qëndrimin e mbajtur nga presidenti serb lidhur me pjesëmarrjen në Samitin e sotëm, Osmani e cilësoi si qesharak.
E pyetur nga gazetarët nëse mund të ketë pasur presion ndaj Aleksandër Vuçiçit për të marrë pjesë në Samitin e Tiranës, kryetarja e shtetit të Kosovës u shpreh se presioni i bërë deri më tani nga unioni nuk është i mjaftueshëm.
Osmani listoi qëndrimet që Serbia ka mbajtur deri më sot sa i përket dënimit të pushtimit rus në Ukrainë dhe theksoi se liderë si Vuçiç nuk duhet të mbështeten më.
Presidentja e Kosovës kërkoi nga BE më “pak fjalë” dhe më shumë veprime.
Ka pasur shumë pak presione në krahasim me sa duhej të kishte. Në raport me një shtet që e thotë hapur që është më së shumti pro-rus, nga ata që marrin pjesë në samit. Zgjedhja e Serbisë është Moska, Putini. Shtetet e tjera kanë zgjedhur sanksionet, Serbia jo. Ne po presim refugjatë nga Ukraina, Serbia po pret oligarkët e Rusisë...Në një linjë me sigurinë energjitike, Serbia bën marrëveshje të reja me Gazprom...Serbia e ka zgjedhur rrugën, dhe mendoj që në një situatë të tillë që është e qartë për të gjithë. Edhe mesazhi i BE presim të jetë më i qartë, jo vetëm me shkrim por edhe me veprime. (A2 Televizion)
Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës