
Në dekadat e fundit, fatkeqësitë
natyrore me të cilat përballet njerëzimi, sa vijnë dhe shtohen duke marrë
qindra-mijëra jetë njerëzore si pasojë e forcës shkatërrimtare të natyrës.
Fatkeqësi të tilla si cuname, tërmete, përmbytje, zjarre masive dhe pandemi të
ndryshme.
Por, a është Covid-19 një armik natyror i
njerëzimit apo është vetëm një bumerang i sjelljes njerëzore ndaj natyrës?
Ka një lidhje të afërt mes tyre; është ndotja
e mjedisit, ndotja e ujit që pijmë, ndotja e ajrit që mushkëritë tona thithin
cdo ditë. Është ajri i ndotur që vret në mënyrë "të heshtur" rreth
4,2 milion jetë çdo vit në shkallë globale. Dhe është pikërisht Kina, e cila mban
rekordin e vdekjeve prej 1,1 milion persona në vit, vetëm si pasojë e ajrit të
ndotur që thithin qytetarët e zonave industriale.
Përtej heshtjes zyrtare, ndotja në Kinë është
10-fishi i normës së lejuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, normë e
cila është 10 mikrogramë/m3. Kina, me masat 3-mujore ndaj Covid-19, vlerësohet
të ketë shpëtuar rreth 50 mijë njerëz të llogaritur të vdekur për shkak të
ndotjes së lartë. Rast i ngjashëm me Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, të cilat
detyruan qeverinë kineze të ndalojë disa industri për siguruar ajër të shëndetshëm
gjatë Lojërave Olimpike dhe për rrjedhojë, numri i vdekjeve nga ndotja u ul me
50 mijë persona atë vit.
Përtej Azisë, shumë pranë, është një tjetër
zonë me ndotje shumë të lartë të ajrit dhe është pikërisht Italia Veriore, ku
popullsia e saj prej disa dekadash është ekspozuar në nivele të larta të
grimcave dhe smogut industrial. Ndotja, e cila edhe gjatë dimrit, në disa
qytete arrin 10-fishin e normës së lejuar prej 10 mikrogram/m3, duke shkaktuar
mesatarisht 60 mijë humbje jete në vit; fatalitete këto shumë më të larta se
parashikimi më pesimist i Covid-19 për Italinë.
Nëse për një moment do të harrojmë pandeminë
për të cilën bota ka ndaluar, mund të themi se pastrimi i ajrit do të shpëtojë
mijëra jetë njerëzore, por pandemia është mënyra e gabuar për të shpëtuar
popullsinë globale nga ndotja e ajrit .
Pas Covid-19, shoqëria njerëzore do të duhet të mësojë ritme të tjera jete, metoda të punës “online” apo teknologji miqësore me mjedisin dhe me natyrën. (A2 Televizion)