Situata pas tërmetit, Basha mbledh Kolegjin e Kryetarëve

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2019, 17:52 | Politikë
Situata pas tërmetit, Basha mbledh Kolegjin e Kryetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbledhur pasditen e së mërkurës, në selinë e PD, Kolegjin e Kryetarëve.

Sipas burimeve për A2, kreu i demokratëve ka biseduar me kryetarët e partisë në rrethe për situatën pas tërmetit të 26 nëntorit dhe krizën politike që ka përfshirë prej kohësh vendit.

Basha iu kërkoi një vëmendje më të shtuar krerëve të partisë në ato zona që janë prekur më rëndë nga tërmeti shkatërrimitar. Ai shtoi se duhen krijuar grupe pune për identifikimin e banorëve që janë në vështirësi dhe që nuk iu është bërë vlerësimi i dëmeve në banesa.

“Në degët e prekura nga tërmeti duhen ngritur grupe pune që të identifikojnë çdo familje të prekur nga tërmeti. Këto grupe pune të identifikojnë familjet që nuk i është ofruar asnjë ndihmë, që gjenden pa strehë në prag të dimrit. Të evidentohen familjet që nuk kanë vlerësim për banesat apo kanë vlerësime kontradiktore. PD duhet të bëhet zëri i tyre që të dëgjohen dhe t’iu vihet në ndihmë. Kriminale që banorët pas një muaji nga tërmeti nuk kanë marrë asnjë ndihmë apo janë diskriminuar se nuk kanë votuar më 30 qershor apo për shkak të bindjeve partiake”, deklaroi Basha.

Më tej kryedemokrati foli dhe për reformën zgjedhore dhe zgjedhjet e parakohshme. Sipas tij, drafti i kësaj reforme të rëndësishme do të jetë gati në janar dhe ajo do të çohet për konsultim me anëtarësinë dhe qytetarët.

“Grupet e ekspertëve janë në fund të hartimit të projektligjeve për ndryshimet e reformës zgjedhore. Në fillim të janarit do të jenë gati. Do të bëhet prezantim publik dhe njëherë do t’i bëhen të ditura të gjitha strukturave të PD dhe qytetarëve. Pas prezantimit, këto propozime do t’i nënshtrohen një konsultimi të gjerë për të marrë mendimin e anëtarësisë dhe qytetarëve edhe për sa i përket aspekteve të tjera të reformës siç është sistemi zgjedhor”, shtoi Basha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos