
“Hap që i jep goditjen fatale shtresës së mesme dhe nxit emigracionin deri në shpopullim”. Kështu e cilësoi ish-kryeministri Sali Berisha projektligjin për “Tatimin mbi të Ardhurat” që trajton përfitimet e të vetëpunësuarve si të ishin të ardhura nga paga.
“Tani i jepni goditjen fatale edhe shtresës së mesme. Tani shkatërroni edhe këtë shtresë që, ekzistenca e të cilës është jetike, jo vetëm për sistemin, por për një seri shërbimesh për shoqërinë shqiptare. Këto shërbime ju i merrni jashtë, i merrni me avionë personalë me çartera, dhe harroni që qytetarët shqiptarë kanë nevojë jetike për stomatologun, kontabilistin, avokatin, pra për të gjithë ata që quhen profesione të lira”, tha Sali Berisha, PD, Komisioni i Rithemelimit.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, i vlerësoi si të pavenda akuzat, duke argumentuar se ligji ndihmon në formalizimin dhe ruajtjen e ekuilibrave në ekonomi.
“Ne besojmë të parimet e taksimit të drejtë, te përmbushja e detyrimeve, pa pasur si fokus primar ndëshkimin, ne ndërmorëm një proces të gjatë. I njëjti angazhim u bë dhe në ekonominë dhe financat, unë gjej rastin ti falenderoj për këtë ligj. Qëllimi ynë ishte që të projektonim një ligj të plotë, vizioni që kemi është i qartë, të rrisim mirëqenien, mbi parimet e së drejtës, ekuilibrave dhe në mbrojtje, ky ligj daton që në dhjetor 1998, ka pasur një sërë ndryshimesh, në 10 vitet e fundit ka pasur ndryshime në fushën e taksimit, me qëllim pengimin e konkurrencës në fushën e taksave”, tha Ibrahimaj.
Nga 1 janari i viti të ardhshëm noterët, agjentët imobiliarë, dentistët, guidat turistike, avokatët e një sërë të profesionesh që ofrojnë shërbime nuk do të trajtohem më si biznes i vogël me 0 për qind tatim, por me normat 15% për fashën 0 deri 14,000,000 lekë dhe mbi 14,000,000 lekë vendoset tatimfitimi 23%. (A2 Televizion)