
Edhe në vitin 2022, në disa vende të Ballkanit një ndeshje futbolli nuk është thjesht sport, por shfrytëzohet si mënyrë për të shfaqur urrejtjen etnike. Ngjarje të papranueshme u regjistruan në kryeqytetin malazez, Podgoricë.
Huliganët e Buducnost, sulmuan me sende të forta stolin e skuadrës së Llapit, teksa janë dëgjuar edhe kore me fyerje etnike ndaj klubit nga Podujeva. Ngjarjet shkaktuan ndërprerjen e ndeshjes për disa çaste në minutat e fundit, teksa fituesit e Kupës së Kosovës u thyen 2-0 dhe tashmë i pret një detyrë e vështirë në sfidën e kthimit.
Nga skuadrat e Superligës, të angazhuara në Conference League, Gjilani fitoi 1-0 përballë Liepaja. Suksesi përballë rivalëve nga Letonia u vulos nga goli i Albert Dabiqaj.
Për sa i takon ekipeve të tjera shqiptare, Shkëndija e Tetovës triumfoi 2-0 ndaj Ararat. Me golat e Shalës dhe Nafiut, kuqezinjtë mposhtën kundërshtarët armenë dhe e shohin veten në pozita mjaft të mira për t'u kualifikuar në turin e dytë.
Befasia e bukur ishte Deçiçi. Skuadra shqiptare nga Tuzi regjistroi një barazim të shkëlqyer 1-1 në fushën e Dinamos së Minsk-ut. Edhe pse bjellorusët cilësoheshin favoritë absolutë, Deçiçi mori një rezultat që i jep shpresa për të synuar kalimin më tej. (A2 Televizion)