
Kryeministri i Maqedonsë së Veriut, Zoran Zaev përjashton çdo përfshirje të mundshme të tij apo të politikanëve të tjerë në skandalet korruptive që goditën sistemin gjyqësor të vendit.
Ai nuk i frikësohet paralajmërimeve për publikimin e përgjimeve të reja, madje kërkoi që nëse ka, një gjë e tillë të bëhet sa më parë: “Nëse ka dëshmi, le të publikohen për këdo, së pari për mua e pastaj edhe për të tjerët. Le të publikohen çdokund. Këtë e meritojnë qytetarët. Nëse janë për Zoran Zaevin, menjëherë t’i publikojnë”.
Zaev mohon të ketë biseduar me të përfshirët në rastin “Reket”, ndërsa komenton dhe arrestimin e Prokurores Speciale, Katica Janeva, e cila akuzohet se përfitoi 1.5 milionë euro nga një biznesmen në këmbim të masave lehtësuese në një proces gjyqësor.
“Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi. Jemi krenarë që si ekzekutiv kemi siguruar kushtet për një gjyqësor të pavarur, funksional dhe rivendosjen e sundimit të ligjit”, tha Zaev.
Lidhur me vendimin për pasardhësin e Janevës, shefi i qeverisë së Shkupit kërkoi që të veprohet shumë shpejt dhe në përputhje me ligjet për Prokurorinë Speciale. Për këtë, kërkoi konsensusin e të gjitha partive politike.
Ndërkohë, Prokuroria e Shkupit vendosi masën e paraburgimit prej 30 ditëve për Janevën, e cila të enjten u lejua të merrte pjesë në varrimin e së ëmës. (A2 Televizion)