Thirrjet për dorëheqje, Zaev: Një homoseksual nuk e rrëzon dot qeverinë

Nga A2 CNN
14 Gusht 2019, 16:50 | Ballkani
Thirrjet për dorëheqje, Zaev: Një homoseksual nuk e rrëzon

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, reagoi fuqishëm ndaj thirrjeve për dorëheqje. Ai distancon veten edhe njëherë nga çdo përfshirje e mundshme në rastin “Zhvatja” dhe nënvizoi se nuk do lejojë që dikush ta përfshijë atë në këtë çështje. Dukshëm i nxehur për polemikat që nxitën disa përgjime të publikuara nga një media italiane, Zaev përdori një retorikë mjaft të ashpër.

“Unë jam Zoran Zaev, erdha në pushtet fal votës së qytetarëve, duke luftuar për liri, demokraci, shtet të së drejtës, shtet normal. Unë jam luftëtar dhe do të vazhdoj të luftoj për këtë deri në fund. Gjithsesi, nuk do të lejoj që disa kriminelë, një gazetar kapriçioz, dhe të më falë komuniteti LGBT, një homoseksual, ta rrëzojnë këtë qeveri nga pushteti. Do të luftojmë deri në fund. Gjithsecili do të mbajë përgjegjësi”, u shpreh kryeministri.

Zaev i bëri thirrje Prokurorisë së vendit që t’i publikojë të gjitha dëshmitë që posedon, madje edhe për vetë Prokuroren Speciale, Katica Janeva, e cila rezulton edhe në përgjimet e publikuara nga gazetari i “La Verita”, Laris Gaiser. Më herët ky i fundit tha se karriera e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut është drejt fundit dhe sugjeroi zgjedhje të parakohshme ose një qeveri kalimtare për tejkalimin e kësaj situate.

Zaev njoftoi se ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend me eurokomisionerin Johannes Hahn. Gjatë bisedës telefonike ata kanë theksuar rëndësinë e zbardhjes së plotë të rastit “Zhvatja”.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos