
Pas muajsh presioni në rritje nga demokratët, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosy njoftoi nisjen e një hetimi zyrtar nëse presidenti duhet t’iu nënshtrohet procedurave të shkarkimit.
Dhoma e kontrolluar nga demokratët do të shqyrtojë nëse presidenti Trump ka kërkuar ndihmën e Ukrainës për të hedhur baltë mbi ish zv.presidentin Joe Biden dhe djalin e tij.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka pranuar se ka folur me presidentin e një shteti të huaj, që është Ukraina, për diçka që do ta ndihmonte në zgjedhje. Kjo përbën shkelje të përgjegjësive kushtetuese”, tha Nancy Pelosi.
Në Dhomën e Përfaqësuesve të dominuar nga demokratët, thirrjet për “impeachment” gjejnë mbështetje të madhe, por me shumë gjasa procedurat do të bllokohen në Senatin e kontrolluar nga republikanët. Ky hap i madh i ndërmarrë nga Pelosi i hap rrugën një lufte të ashpër mes demokratëve dhe Presidentit para zgjedhjeve të 2020-tës.
Deri më tani Pelosi dhe zyrtarë të tjerë të lartë demokratë i kishin rezistuar thirrjeve nga brenda partisë për nisje të procedurave të shkarkimit. Por lidershipi u bashkua lidhur më çështjen, pas raportimeve se presidenti Donald Trump i kishte kërkuar në disa raste homologut ukrainas Volodimir Zelenskiy të hetonte për korrupsion rivalin politik Joe Biden dhe djalin e tij Hunter. (A2 Televizion)